Këtë vit mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar UP-së

03 tetor 2022 | 15:23

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nisur të hënën viti i ri akademik 2022/23.

Mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar UP-së këtë vit, në dhjetëra programe studimore, të ofruara në 14 njësi akademike.

Universiteti i Prishtinës edhe sivjet ka vazhduar me tërheqjen e studentëve të shkëlqyer.

Mbi 45 për qind të studentëve të pranuar në UP në vitin e parë të studimeve themelore kanë sukses të shkëlqyer, gjatë shkollës së mesme, me mesatare 5.0.

Më fillimin e vitit të ri akademik, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti ka përgëzuar brucoshët, studentët që vijojnë studimet në të gjitha drejtimet e UP-së, stafin akademik e administrativ për punën e tyre si dhe partnerët për bashkëpunimin e tyre.

“Universiteti ynë po e nis edhe një vit akademik, si shtëpia e re e ish nxënësve me sukses të dalluar. Mbi 60 për qind e studentëve, që sot kanë nisur studimet në UP, kanë sukses të shkëlqyeshëm (notë mesatare mbi 4.5) në shkollimin e mesëm. Ky fakt konfirmon se universiteti ynë vazhdon të jetë zgjedhja e parë e të rinjve ambicioz, të cilët dëshirojnë të sfidohen dhe të jenë pjesë e institucionit lider në vend dhe të përgatiten akademikisht në programet studimore prestigjioze që ofron ky institucion”, ka thënë Sahiti.

Ai ka theksuar se UP-ja që nga themelimi i tij, shquhet për studimet cilësore dhe për faktin që në bankat e këtij universiteti janë përgatitur kuadrot kryesore të këtij vendi.

“Shoqëria e sotme është UP-ja dhe shoqëria e së nesërmes do të jeni ju! UP-së këtë vit akademik i janë bashkuar mbi 4 mijë studentë të rinj në studimet themelore, ndërkaq jemi në proces të rekrutimit të studentëve në studimet master dhe të doktoratës”, ka deklaruar rektori Sahiti.

Ai ka shtuar se tetori, pos që shënon fillimin e vitit të ri akademik në vendin tonë, është edhe pjesë e pashlyeshme e historisë, edhe falë ngjarjeve të vitit 1997, kur më 1 tetor të atij viti, UP-ja u shfaq në skenë si aktori kryesor në kthesën më të madhe historike për Kosovën.

“Sikurse para një çerek shekulli, ashtu edhe sot, UP-ja është orientues dhe baza kryesore e përgatitjes intelektuale të vendit tonë. E thëna e para 25 vjetëve e rektorit Ejup Statovci se ‘Universiteti është me studentët dhe studentët janë të universitetit’ vazhdon të jetë udhëzuese e ideologjisë së UP-së. Pra, Universiteti i Prishtinës është madhështor, sepse të tillë e bëjnë studentët e tij. UP-ja, përveç lidershipit të pakontestueshëm në vend për përgatitje akademike të të rinjve brenda 14 njësive akademike të tij, ofron mundësi të diplomave të dyfishta me universitete partnere jashtë vendit dhe mundësi të shkëmbimeve akademike në universitete botërore”, ka thënë Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një eurogol është shënuar në MLS Next Pro. Dueli Columbus…