Këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit
Këtë vit s’do të ketë rishikim të buxhetit, ngase Qeveria ka vlerësuar se buxheti është planifikuar mirë dhe nuk ka nevojë të rishikohet.
Deputetë nga koalicioni qeverisës konsiderojnë se mos rishikimi nuk do të paraqes pengesa në shfrytëzimin e buxhetit. Ndërsa opozita, konsideron se vendimi për mosrishikimin e buxhetit, është rezultat i vendime joligjore të Qeverisë.
Buxheti i Kosovës për vitin 2018, nuk do të rishikohet këtë vit, siç ka qenë gjithmonë praktikë. Qeveria ka vlerësuar se buxheti është i planifikuar mirë dhe s’ka nevojë për rishikim. Këtë qëndrim e arsyeton edhe Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të partisë së kryeministrit, AAK-së.
“Këtë vit nuk do të ketë rishikim për shkak se agjencitë të cilat e kanë buxhetin, e kanë hapësirën ligjore për t’i ndryshuar vijat buxhetore me përqindjen e caktuar, prandaj nuk ka asnjë pengesë që të shfrytëzohet buxheti në mënyrë racionale ashtu si duhet, nga agjencitë dhe komunat”, ka thënë Isufi për “Radio Kosovën”.
Por, ndryshe e sheh këtë vendim për mosrishikimin e buxhetit, Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes, e cila është anëtare e Komisionit për legjislacion. Ajo ka thënë se kjo është papërgjegjësi e plotë, ndërsa përmend vendimin për rritjen e pagave të Qeverisë, vendimi për dhënien e 53 milionë eurove kompanisë “Becktel-Enka” dhe vendime të tjera, si arsye të mjaftueshme për të pasur rishikim të buxhetit. “Mungesa e rishikimit të buxhetit është bërë pikërisht për shkak të këtyre arsyeve, të vetëdijshëm që vendimet që i kanë marrë janë joligjore dhe të padrejta, ata kanë dashur t’i shmangen një diskutimi tjetër në Kuvend dhe ta shtyjnë krizën në plotë institucione, që kohëve të fundit po demonstrohet me protesta e greva në shumë institucione”, ka thënë Nagavci.
Edhe zyrtarët e LDK-së, duke përmendur rritjen e pagave për Qeverinë që arrinë në 10 milionë euro shtesë dhe pagesën prej 53 milionë eurosh për “Becktet&Enkan”, kanë thënë se është e paqartë se si do të bëhet akomodimi i gjithë shpenzimeve buxhetore brenda buxhetit të tanishëm, pa pasur rishikim.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës që e monitoron punën e Kuvendit, ka deklaruar se rishikimi i buxhetit bëhet kryesisht për shkak të kërkesave të organizatave buxhetore, gjë që kësaj radhe duket se nuk ka pasur. “Me gjasë ndoshta nuk ka as kërkesa të tilla dhe për këtë arsye neglizhohet dhe thjesht tejkalohet kjo çështje dhe nuk bëhet rishikimi fare. Vetëm shpresoj që kjo mos të nxjerr probleme në të ardhmen dhe mos të kesh telashe në funksionimin e asnjë institucioni për shkak të mungesës së buxhetit”, ka deklaruar Murati.
As vitin e kaluar buxheti nuk ishte rishikuar deri pak para përmbylljes së vitit kalendarik, për shkak të zgjedhjeve. Asociacioni i Komunave të Kosovës ditë më parë ka kërkuar që të bëhet rishikimi i buxhetit, pasi që për herë të dytë komunat ndodhen në situatë të njëjtë, gjë që sipas tyre, po dëmtohen projektet komunale.