Këto ishin fjalët e Ukshin Hotit për Adem Demaçin

28 korrik 2018 | 12:06

Jeta dhe veprimtaria e veprimtarit për çështje kombëtare, Adem Demaçit, është vlerësuar lart gjithmonë nga populli dhe figura intelektuale.

Ndër ata që lartësuan figurën e Demaçit ishte edhe Ukshin Hoti.

Aktivisti i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti i cili u zhduk në burgjet e Serbisë dhe ende as pas rreth 20 vitesh nuk dihet për fatin e tij, i kishte kushtuar disa rreshta atij rrugën e të cilit po ndiqte.

Fjalë të tilla të mëdha për një aktivist që merrej edhe aktivisht me politikë iu kushtohen vetëm pas vdekjes.

Por, Adem Demaçi bënte përjashtim. Ai nuk ishte asnjëherë i zakonshëm, dhe si të tillë e trajton edhe Ukshin Hoti në fjalët e tij.

Më poshtë lexoni të plotë Ukshin Hotin për Adem Demaçin, i cili sot u varros në Prishtinë:

Lëvizja e proceseve politike në drejtim të demokracisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, do të ishte tejet dubioze dhe e ndarë me siguri në kategori të veçanta shoqërore, pa kontributin e veçantë të Adem Demaçit, -Bacit, legjendës së gjallë të popullit shqiptar.

Ashtu si thotë edhe kënga, ai pjesën më vitale të jetës së vet e treti nëpër burgje dhe kazamate të titizmit jugosllav. I tërë një mekanizëm shtetëror dhe e tërë një makineri ndërkombëtare politike, me decenie të tëra u përpoq gati me sukses të plotë ta heshtte jo vetëm kuptimin dhe qëllimin e qëndrimit të tij nëpër burgje, por edhe vetë atë, ekzistencën e tij.

Për këtë shkak figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore; Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli. Për politikën tani e tutje ishte i rrezikshëm, për aq sa ishte i rrezikshëm vetëdijësimi politik i popullit shqiptar. Dhe këtë ai e artikuloi me inteligjencën e tij të mprehtë; me shpjegimet e thjeshta, por definitive dhe të prera; me referencat e tij- shpatë që copëtonin, por që nuk thernin.

Demaçi nuk e luftoi në veçanti asnjë armik, por që të gjithë së bashku. E luftoi dhe e mundi çdo kend dhe secilin që deshi t’a pengonte emancipimin e popullit shqiptar. Për këtë shkak figura dhe personaliteti i tij u mishërua me progresin; me çdo lëvizje progresive; me marshin përpara të proceseve politike ndër shqiparët në përgjithësi. Ai nuk i kontribuoi në veçanti asnjë kthese, sepse i shndërruar në popull, i kaloi që të gjitha së bashku me të. Megjithatë, të gjitha kthesat, edhe ajo e përcaktimit për Republikë, si dhe ajo e përcaktimit për demokraci, e vinin re Demaçin.

Demaçi i shndërruar vetëm në vete, për të gjitha kthesat, do të ishte njësoj i rëndë, enigmatik, i pazbërthyeshëm dhe i panjohur. Për këtë shkak, madhështia e tij nuk qëndron në të njohurit e tij nga populli, por edhe në të njohurit e popullit në veten e tij. Komuniteti politik evropian me një gjest fisnik, duke ia ndarë çmimin Saharov, deshi ta nderonte, por Komuniteti politik evropian do t’ia ketë borxh gjithmonë respektin, sepse Demaçi i shndërruar në popull nuk mund të nderohet. Ai mund vetëm të respektohet.

Për Demaçin mund të shkruhet gjithçka, por mund të thuhet vetëm një: është një histori e gjallë në lëvizje e sipër dhe si e tillë të detyron jo vetëm respektin, por edhe dashurinë; jo vetëm dashurinë, por edhe përcaktimin. Mund të jesh me të, përbri tij apo kundër tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asnjë zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka marrë…