Këto janë 15 komunat me rritjen më të lartë të transparencës

24 maj 2023 | 11:20

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Transparency International Slovakia dhe mbështetjen financiare të SlovakAid ka publikuar sot Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2022.

Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë), shkruan “Epoka e re”.

Pesëmbëdhjetë (15) komunat me rritjen më të lartë të transparencës krahasuar me vitin 2021 janë Skenderaj, Istogu, Deçani, Prizreni, Malisheva, Kamenica, Hani i Elezit, Dragashi, Drenasi, Klina, Juniku, Suhareka, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica.

No description available.

Komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1) transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se është për t’u vlerësuar fakti se komunat nga viti në vit po dëshmojnë se janë më të përgjegjshme në publikimin e informatave dhe dokumenteve për publikun, duke shënuar rritje të nivelit të transparencës nga 56% në vitin 2021 në 68% në vitin 2022, megjithatë, uebfaqet e komunave po vazhdojnë të jenë shpesh të paqasshme si rezultat i problemeve teknike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi…