Këto janë 16 dënimet nga gjykata për Dibran Hoxhaj “Kobra” tani i dyshuar për vrasje
Pas një konflikti në lokalin e natës “Kobra City”, në Prizren është vrarë një 31-vjeçar nga Kukësi dhe një person tjetër është plagosur.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë për vrasjen që ka ndodhur në orët e para të së martës, pas një ndeje në Prizren.
Ndërsa, sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, vrasja dyshohet se ka ndodhur pas konfliktit lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve në lokalin “Kobra City”.
Por, kjo nuk është hera e parë që ai dyshohet të jetë përfshirë në vepra të ngjashme, madje për to ai edhe ishte dënuar më aktgjykime të plotfuqishme.
“Betimi për Drejtësi”, edhe më parë kishte hulumtuar për të njëjtin e që kishte rezultuar se Hoxhaj është dënuar 16 herë, ndërsa kishte ende edhe një lëndë aktive në gjykatë.
Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë disa nga veprat penale, për të cilat “Kobra”, është dënuar.
Aktgjykimet në fjalë janë shpallur gjatë periudhës kohore 2007 – 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prizren, bënte të ditur se ai kishte lëndë aktive për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.
Ndërsa, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ndaj të njëjtit ishin ngritur mbi 30 kallëzime penale, ku disa kishin përfunduar më aktakuza e disa ishin hedhë poshtë.
Nga 16 aktgjykimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, Hoxhaj është dënuar me gjobë në 12 aktgjykimet e plotfuqishme, kurse në katër aktgjykimet tjera është dënuar me dënim me kusht.
Në aktgjykimin e 26 qershorit 2009, “Kobra” ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve. Për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2012.
Në aktgjykimin e 23 tetorit, ishte dënuar me 800 euro gjobë, kurse me 850 euro gjobë ishte ndëshkuar në aktgjykimin e po të njëjtës datë.
Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar gjashtë herë.
Me aktgjykimin e marrë më 15 maj 2013, i njëjti ishte dënuar me 250 euro gjobë. Më 23 mars 2015 ishte dënuar me 3 muaj burgim me kusht. Edhe në vitin 2016, në aktgjykimin e 3 majit ishte dënuar me 1 mijë e 600 euro gjobë.
Për lëndim të lehtë trupor, ai ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2018, më 13 gusht dënimi për të ishte 200 euro, kurse më 10 dhjetor ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë. Ndërsa, më 4 maj të vitit 2020, u dënua me 1 mijë euro gjobë për ketë vepër.
Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, i njëjti ishte ndëshkuar dy herë. Fillimisht, më 27 nëntor 2012 ishte dënuar vetëm me 200 euro gjobë, kurse më 2021, në aktgjykimin e plotfuqishëm të 19 shkurtit, ishte dënuar me 2 mijë e 340 euro gjobë.
Gjashtë muaj burgim me kusht ishte dënuar më 16 nëntor 2007 për pjesëmarrje në rrahje.
Kurse, për “Kanosje”, “Kobra” u dënua me 140 euro gjobë, aktgjykim i cili u shpall më 13 gusht 2016.
Më 7 tetor 2014, Hoxhaj doli sërish para gjykatës për veprën penale “Dëmtimi i pasurisë së huaj të luajtshme”, ku ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.
Për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, Hoxhaj u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, në aktgjykimin e shpallur më 25 mars 2018.
Hera e fundit kur Dibran Hoxhaj mori masë ndëshkimore ishte më 1 nëntor 2021, për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare”, për të cilën dënimi i tij ishte 160 euro gjobë.
Faktin se ka shumë vepra penale, “Kobra” e kishte përmendur në emisione të ndryshme televizive, duke thënë se ka 198 vepra penale, por që gjitha sipas tij kanë lindur pasi kishte hapur lokalin e tij “Cobra City”.