Këto janë arsyet pse tre gjyqtarë refuzuan ta lironin Faton Hajrizin
Brenda një periudhe 12-muajshe, Faton Hajrizit i ishte refuzuar kërkesa që të lirohej me kusht nga ana e Panelit për Lirim me Kusht me arsyetimin se ai kishte 15 shkelje disiplinore brenda institucionit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe për të gjitha këto shkelje ishte gjetur fajtor.
Ndër të tjera, Hajrizi ishte arratisur shtatë herë nga burgu.
Në kohën kur lirimi i ishte refuzuar, SHKK kishte vendosur t’i lejonte atij vizitat (në familje) gjatë vikendeve.
Vendimi i nxjerrë nga tre gjyqtarë liston shumë arsye pse Faton Hajrizi nuk mund të lirohet para kohës, ndërsa përkundër këtij vendimi, SHKK vendosi ta lirojë në vikende dhe ta transferonte nga Burgu i Dubravës në Burgun e Smrekonicës, i cili funksionon si burg i tipit të hapur.
Ani pse zyrtarisht nuk dihet saktë se kur arriti që të arratisej Faton Hajrizi, Kallxo.com mëson se ai shfrytëzoi orët e mbrëmjes pasi të dënuarit shkojnë në qelitë e tyre për të kryer veprimin. Ngjarja ishte regjistruar më 06.07.2024 dhe ky veprim ishte i teti në historinë e tij.
Kallxo.com ka arritur që të sigurojë vendimin e Panelit për Lirim me Kusht, i cili mban datën 25.10.2023 e në të cilin përshkruhet në detaje refuzimi i kërkesës së Hajrizit për t’u liruar me kusht.
Faton Hajrizi kishte bërë kërkesë që për shkak të një pjese të dënimit të cilin e kishte mbajtur të lirohej me kusht për pjesën tjetër të dënimit që i kishte mbetur.
Një seri veprash penale për të cilat ishte akuzuar Hajrizi rezultuan me një dënim prej 25 vitesh në total. Nga gjithë këto vite Hajrizi pritej të lirohej nga burgu në janar të vitit 2032.
Në dosjen e Panelit për Lirim me Kusht, të cilin ka arritur që ta sigurojë kallxo.com, përshkruhen në detaje arsyet se pse Hajrizi nuk plotësonte kriteret për t’u liruar me kusht në bazë të kërkesës që kishte parashtruar.
Hajrizit me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Pejës në vitin 2022 i ishte aprovuar kërkesa për unifikimin e dënimit për disa vepra penale për të cilat kishte dënime, gjatë viteve 2005, 2008, 2013, 2018, 2019.
Hajrizi në bazë të dosjes së Panelit për Lirim me Kusht ka qenë i dënuar për raste të rrëmbimit, rrezikimit të sigurisë, arratisje të personit të privuar me tentativë, vepra të zotërimit, kontrollimit, posedimit të armëve të paautorizuara, raste të rënda të vjedhjes grabitqare, vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, falsifikim të dokumentit.
Përgjigjen për kërkesën e lirimit me kusht, Hajrizi e kishte pranuar pas dy muajve. Kërkesa ishte dorëzuar më 30.08.2023 ndërsa vendimi për refuzim ishte marrë më 25.10.2023.
“Kërkesa për lirim me kusht e pabazuar”
Faton Hajrizi kishte parashtruar kërkesën për lirim me kusht nën arsyetimet se gjatë vuajtjes së dënimit me sjelljet e tij kishte arritur risocializimin si dhe i ishin plotësuar kushtet e tjera ligjore për lirim me kusht.
E Paneli për Lirim me Kusht në një seancë që kishte mbajtur më 25.20.2023 kishte shqyrtuar arsyet dhe kërkesën e të dënuarit, dosjen e tij, raportin e përpiluar nga Ekipi Profesionist i Shërbimit Korrektues, deklaratën për mbikëqyrjen e të dënuarit dhe pas vlerësimit kishte refuzuar kërkesën duke renditur një seri arsyesh.
Në aktvendimin e Panelit që përbëhej nga kryesuesja Valdete Daka, anëtarët e panelit Kadrije Goga Lubishtani dhe Argjira Asllani, thuhet se Hajrizi nuk kishte treguar sjellje të mirë gjatë burgimit ndërsa historia penale e të njëjtit, duke përfshirë edhe arratisjet, tregonte edhe për rrezikun e recidivizmit.
Hajrizi figuronte sipas dosjes dhe raportit social për lirim me kusht se ishte arratisur 7 herë nga burgjet e Kosovës.
Po ashtu, gjatë vuajtjes së dënimit për të cilin i ishte llogaritur 15 vjet e 9 muaj, ai kishte shkelur rregullat e burgjeve me gjithsej 15 shkelje disiplinore për të cilat është gjetur fajtor dhe i ishin shqiptuar masat disiplinore.
Në kohën kur ishte bërë vlerësimi për lirim me kusht, Ekipi profesional i Shërbimit Korrektues kishte thënë se Hajrizi po përpiqej për sjellje të mira dhe risocializimi i tij kishte marrë kah pozitiv dhe kishte progres në këtë pjesë.
Me dosjen sociale të Hajrizit dhe dosjet e tjera të të njëjtit nga SHKK, Paneli për Lirim me Kusht kishte bërë vlerësimin dhe kishte vendosur që kërkesa të refuzohej pasi nuk ishin plotësuar kriteret që parashihen me rregullore.
Hajrizi nuk kishte plotësuar kriterin e sjelljes së mirë gjatë burgimit, e më pas ishte marrë parasysh edhe pesha e krimit që kishte kryer, ngase Paneli kishte vlerësuar se kjo pjesë ishte tregues i nevojës për të mbrojtur shoqërinë përmes parandalimit të kryerjes së veprave të tilla apo të ngjashme penale. Po ashtu në vendim ishte përmendur edhe recidivizmi i Hajrizit.
Prapaskenat e transferimit të Faton Hajrizit në Burgun e Smrekonicës
Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje, ai ishte dënuar 27 vjet burg.
Por, siç rrëfente vetë Hajrizi, tre ditë pasi u dërgua në Burgun e Mitrovicës, ai kishte arritur të ikte nga atje. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2000.
Për ikjen e tij të parë nga burgu ai tregoi se kishte shfrytëzuar dritaren e banjos së Burgut në Mitrovicë.
Hajrizi ishte arrestuar më pastaj nga ushtarët e KFOR-it.
Siç ka treguar vetë, arratisjen e dytë e kishte bërë nga Burgu i Prishtinës ndërsa, një herë kishte ikur edhe nga një bazë ushtarake.
Në vitin 2012, Faton Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Prizrenit, duke u ngjitur në murin e Burgut e duke kaluar rrethojat me gjemba.
Pas një aksioni të Policisë, ai ishte arrestuar.
Në korrik 2007, ai ishte arratisur nga Burgu i Dubravës, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda.
Pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit ishin pritur nga persona të tjerë, të cilat kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut. Pas hetimeve ishin arrestuar disa punonjës të Burgut të Dubravës dhe disa persona të tjerë që dyshohej se kishin ndihmuar arratisjen.
Pak muaj pas arratisjes, në shtator 2007, kishte ndodhur një grabitje me armë në Drenas, ku katër persona me armë dhe maska kishin grabitur një argjendari dhe gjatë ikjes kishin plagosur me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit. Vlera e arit të grabitur ishte rreth 63 mijë euro.
Gjatë vazhdimit të kërkimit të grabitësve, në fshatin Bruznik-Vushtrri, një patrullë e Policisë kishte tentuar ta ndalojë një veturë të dyshuar. Të dyshuarit nga ajo veturë kishin shtënë në drejtim të Policisë dhe kishin plagosur me armë zjarri dy policët dhe kishin arritur për të ikur këmbë. Dyshohet se të njëjtit kishin kryer grabitjen dhe plagosjen në Drenas.
Faton Hajrizi dhe Burim Basha ishin arrestuar në tetor 2007 në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Gjatë bastisjes janë gjetur disa armë.
Para se të transferohej në burgun e tipit të hapur siç është ai i Smrekonicës, Faton Hajrizi kishte bërë kërkesë e më pas ishte realizuar edhe transferimi.
I njëjti ishte edhe përfitues i vikendeve e që të njëjtat kishte nisur t’i realizonte ndonëse nuk kishte shfrytëzuar kohën kur ishte lajmëruar jashtë institucionit për të realizuar arratisjen e 8-të me radhë për të.
Faton Hajrizi gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë në disa përgjigje që ka pranuar KALLXO.com nga Shërbimi Korrektues i Kosovës ishte i angazhuar në procesin e punës, kishte përfunduar procesin e shkollimit të mesëm, nuk kishte pasur vepra tjera për t’u ekzekutuar dhe me të gjithë këto veprime ai kishte plotësuar edhe kushtin për transferim.
Hajrizi ani pse kishte edhe gati 8 vjet burgim për të mbajtur e për të përfunduar dënimin e tij, për t’u transferuar në Burgun e Smrekonicës ai kishte shfrytëzuar të drejtën duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Korrektues, konkretisht një rregullore për tretmane që ishte miratuar së fundmi, më 08.05.2024.
Kjo rregullore ishte ndryshuar ndër vite me vendim të ministrave të ndryshëm që kanë qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë.
Që nga viti 2013 deri në vitin 2024 rregullorja ishte ndryshuar pesë herë. Kjo pasi që rregullorja e fundit për tretmane parasheh që të dënuarit mund të transferohen nga burgjet e tjera në Smrekonicë (burg të tipit të hapur), nëse të njëjtit punojnë apo marrin pjesë në programe dhe aktivitete të tjera rehabilituese.
Ndryshimi i Rregullores për Tretmane fillimisht ishte i kufizuar në kohëzgjatjen e dënimit të të burgosurve që lejoheshin të transferoheshin në Burgun e Smrekonicës.
“Nga viti 2013 deri në vitin 2018 ishte lejuar që të vendosen personat me kohëzgjatje deri në dy vite, nga data 20.03.2018 deri më 15.08.2019 ishte lejuar vendosja e të dënuarve me kohëzgjatje të dënimit deri në tri vite, nga 15.08.2019 deri më 29.12.2022 ishte lejuar vendosja e personave të dënuar mbi tri vite pa kufizim të mbetjes së dënimit”- thuhet në përgjigjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës për “kallxo”.
Më datë 29.12.2022 ishte miratuar Rregullorja për Tretmane që lejoi vendosjen e personave të dënuar në Burgun e Smrekonicës deri në 10 vite mbetje të dënimit ndërsa së fundmi kjo rregullore është miratuar si e re më 08.05.2024 e cila parasheh që të dënuarit që mund të transferoheshin në Smrekonicë ishin ata që punonin apo merrnin pjesë në programe e aktivitete të tjera rehabilituese siç janë edhe shfrytëzuesit e pushimit jashtë burgut, të mos kishte vepra tjera në pritje për t’u ekzekutuar si dhe kohëzgjatja e dënimit të mbetur ishte deri në 10 vite.
Para se të transferohej, Hajrizi kishte kaluar në një vlerësim të brendshëm që ishte bërë nga një ekip multiprofesional në Shërbim Korrektues të Kosovës.
Në këtë ekip siç mëson KALLXO.com marrin pjesë një zyrtar për punë sociale, udhëheqësi i programit të regjimit, udhëheqësi për siguri në burgje, udhëheqësi i pavijonit të burgut ku ishte Hajrizi, ndërsa kryesues i ekipit është zëvendësdrejtori i burgut ku qëndron i dënuari.
Pas vlerësimit nga ekipi, merret parasysh edhe Ligji, i cili në këtë rast sipas përgjigjeve që ka dhënë për “kallxo” Shërbimi Korrektues i Kosovës, i njëjti veprim është ndërmarrë edhe për Hajrizin kur u transferua.
“Transferimi është bërë sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, paragrafi për vendimin e transferimit të personit të dënuar, të cilin e ndërmerr drejtori i përgjithshëm i SHKK-së me propozim të drejtorit të burgut apo në bazë të kërkesës së personit të dënuar apo edhe të ndonjë pjesëtarit të familjes së tij”- thuhet në përgjigjet e Shërbimit Korrektues
Arratisja që rezultoi fatale për Faton Hajrizin
Faton Hajrizi u arratis për të tetën herë nga institucionet korrektuese më 06.07.2024.
Pas arratisjes së tij ai u paraqit në rrjete sociale, kryesisht në “Tik Tok”, në të cilën shfaqte bindjen e tij se nuk kthehej më në burg.
Ishte fillimisht Shërbimi Korrektues i Kosovës që dha njoftimin se një i dënuar ishte larguar nga Burgu i Smrekonicës ndërsa vetëm pak orë pas këtij njoftimi, Policia e Kosovës lajmëroi se ishte në kërkim të Faton Hajrizit.
Ndonëse tashmë ishte mësuar se ai po kërkohej, emri i Faton Hajrizit u përmend vazhdimisht në media e rrjete sociale për shkak të deklarimeve të tij në disa video që publikonte.
Ai do të përmendej tashmë edhe në një rast i cili ishte regjistruar në Serbi. Në orët e mesnatës së datës 18.07.2024 një polic ishte vrarë e një tjetër ishte plagosur në Lloznicë, në perëndim të Serbisë.
Më 18.07.2024 autoritetet e Serbisë pretendonin që në vendin ku u vra polici, Nikolla Krsmanoviq, është gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit. E pas disa orësh, autoritetet serbe ishin vënë në kërkim të Hajrizit nën dyshimin se ishte ai që kreu vrasjen e policit në Lloznicë.
Vetëm një ditë më vonë, më 19.07.2024, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq njoftoi se personi që kishte vrarë policin serb ishte vrarë nga autoritetet e sigurisë.
Vëllai i Faton Hajrizit, Artani kishte thënë se atij i ishin vjedhur dokumentet e tij, dokumentet që ishin gjetur në vendin ku ishte vrarë polici serb.
Siç raportoi mediumi serb, N1info, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, kishte thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili i ka kërkuar ujë.
Sipas Daçiq, ai nuk kishte pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.
“Ne publikuam një foto këtë mëngjes që njerëzit ta raportojnë nëse e shohin atë. Një banor i një qyteti fqinj e ka parë sepse po i kërkonte ujë. Ai nuk e njeh gjuhën dhe sapo u largua, vendasit iu desh të bënte një ose dy kilometra në këmbë për të raportuar se e kishte parë këtu. Ekipi ynë u largua menjëherë”- tha Daçiq për RTS, duke folur nga vendi i likuidimit në Trbushnicë.
Më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se Faton Hajrizi ishte qytetari i vrarë nga policia serbe në Serbi.
Trupi i Faton Hajrizit ende nuk është dorëzuar te institucionet në Kosovë apo familja e tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot, më 24.07.2024, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos ta quajnë patriot Faton Hajrizin, që u vra në Serbi.