Këto janë datat kur do të mbahet Testi i Arritshmërisë, i nënshtrohen 24 mijë nxënës
Rreth 24 mijë nxënës më datën 4 dhe 11 korrik do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë. Për shkak të rritjes së numrit të pyetjeve, testi edhe këtë vit realizohet në dy ditë. Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se testimet e tilla janë të mirëseardhura, por sipas tyre, në Kosovë organizimi i testeve nuk matë thellësinë e njohurive, por të mbajturit mend.
Edhe këtë vit shkollor Testi i Arritshmërisë do të mbahet në dy ditë bazuar në ndryshimet që janë bërë vitin e kaluar në përmbajtjen e testit dhe kohëzgjatjen e tij. Rreth 24 semimaturantë testit të Arritshmërisë do t’i nënshtrohen me datat 4 dhe 11 korrik. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, i tha Radio Kosovës se ky testim shërben për matjen e njohurive të nxënësve dhe për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme të larta.
“Numri i nxënësve të klasës së nëntë që do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmerisë për ketë vit është rreth 24 mijë. Ky test iu shërben për orientim për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme. Nga viti i kaluar kemi rritur numrin e pyetjeve dhe për këtë arsye ky test mbahet në dy ditë”, thotë Elezi.
Ndërkaq, eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, tha për Radio Kosovën tha se organizimet e testeve në vendin tonë kanë nevojë për përmirësime, pasi nuk matin thellësinë e njohurive por të mbajturit mend.
“Konsideroj se mënyra se si organizohen testet e standardizume sot në Kosovë nuk masin shumë thellësi por mbamendje. Por megjithatë të gjitha masat që merren synojnë të përmirësojnë cilësinë e testimit. Gjithashtu kam vërejtje thelbësore për mënyrën e formulimit të pyetjeve”, thotë Rexhaj.
Më 4 korrik nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi. Ndërsa, me 11 korrik do të hyjnë për testim në lëndët shkencore: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji.
Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta rezultatet e testit do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.