Këto janë dy kartëmonedhat që po falsifikohen më së shumti në Kosovë
Vetëm përgjatë muajit maj, 54 kartëmonedha në vlerë prej 100 eurosh kanë rezultuar të falsifikuara. Që nga muaji janar, e deri në përfundim të majit, kartëmonedha më e falsifikuar ka qenë ajo 100-euroshe, ku janë identifikuar 176 sosh.
Kështu, të paktën, ka bërë të ditur Agjencia e Kosovës për Forenzikë, teksa totali i parave të falsifikuara që janë identifikuar në qarkullim është 303 sosh.
“Nga ekzaminimi i kartëmonedhave 100 euro të cilat janë sjell në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë – Divizioni për Dokumenteve dhe Dorëshkrimeve, gjatë muajit Maj gjithsej të falsifikuara kanë rezultuar 54 kartëmonedha në vlerë prej 100 euro”, ka bërë të ditur Nadire Ibrahimi, Specialiste e Lartë e Dokumenteve dhe Dorëshkrimeve në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë për lajmi.net.
Kartëmonedha në vlerë prej 500 eurosh vijon të jetë e dyta prej kartëmonedhave të falsifikuara në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave tabelare të Agjencisë, 43 kartëmonedha prej 500 eurosh përgjatë kësaj periudhe janë hasur në tregun kosovar.
Në të dhënat e dërguara nga kjo agjenci, nuk është bërë e ditur sasia totale e vlerës së parave falso që kanë qarkulluar në Kosovë për gati gjysmën e parë të vitit 2022.
Sidoqoftë, për gjysmë viti janë hasur denominime të falsifikuara në vlerat si vijojnë: 200 euro tri raste, 50 euro 38 raste, 20 euro 17 raste, 10 euro katër raste dhe pesë euro 13 raste.
Para të falsifikuara po këmbehen edhe në formë monedhash. Sipas AKF-së, janë identifikuar gjithsej 4566 monedha fals që janë këmbyer në territorin e Kosovës. 3781 nga to i kanë takuar vlerës prej dy eurove, ndërsa 746 sosh vlerës nga një euro.
Denominimet e monedhave të falsifikuara në vlerat si vijojnë: 0.5 centë, 37 herë dhe 0.2 centë dy herë të falsifikuara.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar valutën, duke kaluar nga valuta marka gjermane (DEM) në valutën euro.
Në atë kohë, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bënë angazhime të veçanta në fushën e edukimit dhe luftimit të parave të falsifikuara, si dhe themeluan Komitetin kombëtar për luftimin e parave të falsifikuara.