Këto janë hapat e radhës për liberalizimin e vizave
E para e Integrimeve Evropiane në Kosovë, Dhurata Hoxha i është gëzuar vendimit në LIBE për çështjen e liberalizimit të vizave. Sipas saj, tani puna më e madhe mbetet tek vendimet në Parlamentin Evropian, në seancën plenare si dhe në Këshillin e Ministrave.
“Vendimi në LIBE hap rrugën për fillimin e trialogut Komision- parlament- keshill. Tani puna më e madhe mbetet tek vendimet në Parlamentin Evropian në seancen plenare si dhe në Keshillin e Ministrave, ku në këtë rast janë ministrat e brendshëm. Është në vullnetin politik të secilit shtet anëtar se si do të votojnë në Këshill”, ka thënë ajo në një prononcim për “Indeksonline”.
Ministrja Hoxha thekson se tani mbetet të lobojnë në secilin prej shteteve anëtare.
“Neve na mbetet që të gjithë të lobojmë në secilin prej shteteve anëtare sidomos tek vendet si Franca, Gjermania, dhe Holanda që i kanë debatet e brendshme për migracionin. Pra shpresojmë që të gjitha shtetet do ta marrin parasysh progresin dhe të përshpejtojne procesin e vendim-marrjes, por tani i gjithe procesi ështe në duar të BE- së dhe shteteve anëtare.”, ka vlerësuar ajo tutje.
Hoxha konsideron se nëse merren parasysh shembujt e rajonit, atëhere procesi i vendim- marrjes mudn të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
“Nëse marrim parasysh shembujt e shteteve të rajonit, nese ka vullnet politik në shtetet anëtare procesi i vendim-marrjes mund të permbyllet deri në fund të ketij viti, por është vështirë të parashikojme se si do të votojë secili shtet. Prandaj është shumë me rendesi që secili prej nesh të vazhdojme lobimin e filluar”, ka theksuar Hoxha.
Ndryshe, Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar proliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Duke kaluar me 30 vota, 10 ishin kundër dhe 3 ambstenime.