Këto janë institucionet që nuk i dorëzuan planet e veprimit për zbatim të rekomandimeve të auditorit

16 nëntor 2022 | 20:06

Një numër i institucioneve publike nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare.

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin e parasë publike.

Organizatat buxhetore që i nënshtrohen procesit të auditimit e kanë obligim ligjor që brenda 30 ditëve pas pranimit të raportit të auditimit t’i dorëzojnë në Zyrën Kombëtare të Auditimit planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, megjithatë dhjetëra prej tyre nuk e kanë respektuar afatin e përcaktuar, e disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare.

Sa i përket auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, nga institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit, nëntë (9) prej tyre nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit brenda afatit të përcaktuar. Kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) si dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit.

Me vonesë planet e veprimit i kanë dorëzuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Ministria e Shëndetësisë; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës; Posta e Kosovës, Kompania Regjionale për Mbeturina “Pastrimi”; Ngrohtorja Qendrore “Termokos”; Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS; Ndërmarrja Publike Banesore; si dhe Komuna e Prishtinës.

Ndërsa gjendje më e keqe për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, katërmbëdhjetë (14) sosh nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse dy (2) i kanë dorëzuar me vonesë.

Për raportin e auditimit “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI); Komuna e Prizrenit; Komuna e Istogut si dhe Komuna e Novobërdës.Kurse për raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” këtë plan nuk e ka dorëzuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Ndërkaq për raportet e auditimit “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” planet e veprimit nuk janë dorëzuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Sa i përket auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil” plani i veprimit nuk është dërguar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa me vonesë plani i veprimit është dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lidhur me raportin e auditimit “Auditim përcjellës për rekomandimet e dhëna për SIMFK-në në Raportin Vjetor të Auditimit 2020 për pjesën e TI-së” planin e veprimit nuk e ka dorëzuar Thesari.

Kurse për auditimin “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt” planin e veprimit nuk e ka dërguar Komuna e Ferizajt.Për auditimin “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror” planet e veprimit nuk ia kanë dërguar Zyra e Kryeministrit; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Drejtësisë; si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) e ka dërguar me vonesë planin e veprimit për auditimin “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”.Me vonesë është dërguar edhe plani i veprimit nga Thesari për raportin e auditimit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave-Payroll”. Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike.

Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara. Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca i fton Organizatat Buxhetore që nuk i kanë dorëzuar Planet e veprimit për zbatim të rekomandimeve që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore t’i përgatisin dhe dorëzojnë ato.

Gjithashtu, znj. Spanca inkurajon të gjitha institucionet publike të audituara që të rrisin angazhimet e tyre në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit duke siguruar që përmes kësaj të përmirësohet performanca e përgjithshme e tyre. Të gjitha planet e veprimit për vitin 2021 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Armenisë me rezultat…