Këto janë kërkesat e KOK-ut dhe Federatës së Boksit për AIBA-n
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, i kanë reaguar Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA), me rastin e diskriminimit të boksieres tonë, Donjeta Sadiku, të cilës iu mohua pjesëmarrja në kampionatin botëror, që po mbahet në Indi.
Sadikut dhe ekipit të saj nuk iu dha viza hyrëse nga Qeveria e Indisë, pavarësisht se ajo kishte pasaportë të Shqipërisë, me arsyetimin se India nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Nëse vërtetë Presidenti i AIBA-s dhe EUBC-së janë ndier vërtetë të dëshpëruar, është koha tani të shpallin këtë kampionat botëror të pavlefshëm”, thuhet në fillim të letrës së KOK-ut dhe FBOXK.
Në letrën dërguar AIBA-s iu kujtohet mosdhënia e vizës për Donjetën edhe një vit më parë në botërorin e junioreve, që u mbajt pikërisht në Indi. Dallimi ishte se herën e parë ajo posedonte vetëm pasaportën e Kosovës, e cila u dha arsye nga Qeveria e Indisë, ndërsa tani ajo ishte e pajisur me pasaportën e Shqipërisë.
“Nëse vërtetë mendoni se ‘politika dhe sporti nuk duhet të përzihen në asnjë mënyrë’, pse nuk reaguat në mënyrë të njëjtë disa vjet më parë gjatë kampionatit botëror në Armeni, kur Qeveria e Armenisë ndaloi hyrjen e delegacionit të Kosovës në Armeni? Vetëm kur AIBA i tregoi kryeministrit të Armenisë se kampionati botëror nuk do të hapet pa delegacionin e Kosovës, i pari i Qeverisë dha urdhër për të lejuar hyrjen e delegacionit të boksit të Kosovës në Armeni, pas më shumë se 30 orë pritje në zonë neutrale!”, thuhet tutje në reagim.
“Për herë të dytë brenda një viti top boksierja jonë, Donjeta Sadiku, me nivel ndërkombëtar dhe ambicie për të fituar titullin e botës, u diskriminua nga India, ndërsa AIBA vetëm ‘shikoi’ se si ‘fëmija’ i tyre u diskriminua. Nëse e konsideroni Donjetën si anëtare, ju duhet ta trajtoni ekzaktësisht si vajzën tuaj dhe duhet të reagoni ashtu si ju kërkon lidershipi”.
“Nëse jeni të shqetësuar thellësisht dhe nëse e besoni thellësisht se asnjë boksier nuk duhet të ndikohet nga vendimet politike, përderisa provojnë të arrijnë ëndrrën e garimit në nivel ndërkombëtar, ju duhet ta shpallni Donjetën “Kampione nderi në botë për vitin 2018”, për të dyja kampionatet në Indi. AIBA duhet t’i garantojë ftesën e saj për Lojërat Olimpike Tokyo 2020, sepse AIBA nuk arriti të garantojnë mundësinë e saj të barabartë në dy kampionate botërore. Ju e dini se Donjeta është nënkampione e botës dhe nënkampione e Evropës për juniorë!”
AIBA reagoi ditë më parë, duke shprehur dëshpërimin me mospjesëmarrjen e Donjeta Sadikut në botërorin e Indisë, duke shprehur edhe kërkim falje për Federatën e Boksit të Kosovës, gjë që sipas KOK dhe FBOXK, vetëm një deklarim i tillë nuk mjafton.
KOK-u dhe FBOXK-u kanë renditur edhe disa kërkesa për AIBA-n:
– Të shpallë të pavlefshme kampionatin botëror të boksit në Indi, sepse të drejtat e njeriut dhe vlerat tjera janë prishur.
– Deklarimi i Donjeta Sadikut ‘Kampione Nderi’ për të dyja Kampionatet në Indi i tregon botës se AIBA do të mbrojt të gjithë anëtarët e saj përfshirë ede ata nga vendet e vogla (Donjeta është femër dhe i takon Kosovës me 1.7 milionë banorë)
– Të shpallet Donjeta Sadiku ‘Kampione Nderi’ për të dyja kampionatet botërore në Indi dhe tregon se India pavarësisht sjelljes së Qeverisë së Indisë, AIBA do të respektojë femrat dhe do të sigurojë drejtësi dhe tretman korrekt me të gjithë anëtarët e familjes së boksit botëror, dhe nuk do të jetë pjesë e fuqisë së madhe për të lënë të ‘vegjëlit’ të pambrojtur.
– Të shpallet Donjeta “Simbol i drejtësisë” dhe të jetë boksierja e fundit e AIBA-s, që ka qenë viktimë e diskriminimit nga kushdo!”, thuhet ndër të tjera në letër.