Këto janë kushtet e kryetarit të Listës Serbe për heqjen e barrikadave në veri
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se kushtet e tyre për t’i hequr barrikadat janë që të lirohen të arrestuarit serbë dhe të tërhiqet policia nga veriu i Kosovës.
Ai pa dhënë asnjë provë ka pretenduar për disa lista që sipas tij janë për “vrasjen e serbëve”.
Rakiq njëjtë si drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka shtrembëruar intervistën e kryeministrit Kurti dhënë mediumit britanik “The Guardian” i cilit ka thënë se “është i shqetësuar pasi procesi i largimit të barrikadave mund të shkaktojë viktima”.
E kjo deklaratë është keqinterpretuar nga pala serbe si “thirrje për vrasje”.
“Narrativa antiserbe e Prishtinës ka vazhduar me muaj e vite. Njerëzit tanë e ndjenë vetë se sa shumë Prishtina kujdeset për respektimin e të drejtave të tyre. Mirëpo, deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Në të, Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, ata nuk mund të largohen ndryshe”, ka thënë Rakiqi.
Ai ka kërkuar edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Tash e 11 ditë, disa serbë lokalë të instruktuar nga Beogradi, kanë vendosur barrikada.