Këto janë masat e reja anti-Covid
Nga nesër (e hënë) nisin shërbimet e gastronomisë dhe hapen qendrat tregtare duke i respektuar masat anti Covid-19.
Kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në orën 05:00.
Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).
Ky është vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja anti-Covid.
Ndërkaq, përjashtim nga kufizimi i lëvizjes bëjnë:
Rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).
Qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.
Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
Masat e reja kufizuese do të vlejnë për 14 ditët e ardhshme.
Masat e reja anti-Covid do futen në fuqi nga e hëna më 19 prill.