Këto janë reagimet që mori zëdhënësi i Qeverisë Kurti pas deklaratës për marrëveshjen e Washingtonit
Deklarata e zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shtator të vitit të kaluar në Washington nën administrimin e ish-presidentit Donald Trump, ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues politik të vendit.
Kryeziu në një intervistë për Ekonomia Online kishte thënë se marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, nën arsyetimin se nuk është dërguar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, deklaronte zëdhënësi i Qeverisë të premten.
Këtë qëndrim të Qeverisë Kurti e ka komentuar përgjatë së shtunës e ka komentuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke thënë se “aq di i shkreti, s’di më shumë”.
“Çdo marrëveshje ndërkombëtare me ShBA-në është e obligueshme dhe është në interes të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Abdixhiku, pasi bëri homazhe tek varri i ish-deputetes së LDK’së, Nekibe Kelmendi.
Lidhur me deklaratën e Kryeziut ka reaguar edhe kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, duke thënë se nëse nuk përgënjeshtrohet nga kryeministri Kurti një pohim i tillë, rrezikohet partneriteti me SHBA’në.
“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, deklaroi ai në ‘Facebook’.
Reagim ka bërë edhe deputetja e PDK-së në Kuvend, Blerta Deliu-Kodra e cila ka thënë se Kurti e ka shpallur Shtëpinë e Bardhë armiqësore.
“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo në llogarinë e saj në ‘Facebook’.
Për deklaratat e vlefshmërisë juridike të marrëveshjes së Washingtonit nga zëdhënësi i Kurtit, ka reaguar edhe ish-ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku, duke thënë se një marrëveshje e këtillë “nuk është lojë fëmijësh”.
“Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh. Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike”, shkroi ajo.
Sidoqoftë, për këtë marrëveshje administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, kishte deklaruar se duhet të implementohet.
“Administrata e Biden ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë baza për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, kishte thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.