Këto janë regullat e reja për udhëtarët në shtetet e Evropës

13 gusht 2021 | 12:05

Sektori i turizmit në Evropë po merr frymë i lehtësuar. Shumë vende kanë zbutur kufizimet në jetën e përditshme, duke e bërë turizmin sërish të mundshëm. DW Travel ofron një përmbledhje të rregullave që zbatohen në BE.

Verë, diell, sërf, plazhe me rërë dhe shumë kulturë: pushimet në Evropë janë përsëri të mundshme për shumë njerëz, por vetëm nëse ata bëjnë kujdes.

Në të gjithë Evropën, shumë shtete i kanë hequr bllokimet dhe kanë lehtësuar kërkesat e hyrjes së udhëtarëve. Por ndërsa rregullat ndaj pandemisë po lehtësohen në disa vende, të tjerët po i shtrëngojnë përsëri ato, për shkak të rritjes së infektimeve me variantin delta. Situata në secilin vend mund të ndryshojë nga dita në ditë, duke kërkuar fleksibilitet nga turistët dhe operatorët turistikë, hotelet dhe restorantet në verën e vitit 2021.

Turistët nga Izraeli, Australia, Zelanda e Re dhe Singapori, tashmë mund të udhëtojnë në shumë vende evropianë. Dhe që nga 20 qershori, qytetarët amerikanë mund të udhëtojnë në Evropë gjithashtu.

Që nga 1 korriku, kufizimet e udhëtimit janë hequr për vendet e tjera të përzgjedhura bashkërisht nga shtetet anëtare të BE -së. Turizmi në Europë po e rimerr veten përsëri. Kjo është një përmbledhje e rregullave më të fundit dhe informacioneve më të rëndësishme.

Bashkimi Evropian

Një përmbledhje e masave për udhëtimet drejt BE -së, përfshirë informacionin mbi certifikatën digjitale, është në dispozicion në faqen e internetit të Komisionit Evropian.

Informacioni i detajuar në lidhje me rregullat e karantinës, kërkesat mbi testimet në më shumë se 27 shtetet anëtare të BE-së, së bashku me shtetet Shengen jashtë BE-së si Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda, mund të merret përmes platformës “Reopen EU” (Rihapja e BE-së). Ju gjithashtu mund të shkarkoni aplikacionin “Reopen” të krijuar enkas për smartfonët, ku gjendet informacion më i përditësuar.

Mbani parasysh se çdo shtet anëtar ka rregullat e tij për lejimin e hyrjes për udhëtarët e vendeve të treta brenda BE -së ose zonës Shengen. Shtetet anëtare mund të kërkojnë një test negativ të COVID pas mbërritjes, ose të kërkojnë një periudhë karantine të detyrueshme pas hyrjes. Për më tepër, vendet e BE-së kanë zbatuar një shumëllojshmëri të rregullave të distancimit shoqëror, orareve të qarkullimit dhe rregullave të mbajtjes së maskave.

Sistemi “semafor” i Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka prezantuar një sistem “semafor” për një panoramë më të plotë të situatës epidemiologjike në shtetet anëtare. Tri ngjyrat: e kuqe, portokalli dhe jeshile, tregojnë situatën e infektimeve sipas shkallës së rrezikshmërisë: e rrezikshme, mesatare dhe e ulët. Vendet ngjyrë gri tregojnë zonat me mungesë domethënëse të të dhënave.

Certifikata digjitale e BE-së

Për të lehtësuar udhëtimet në BE, Parlamenti Evropian miratoi një certifikatë digjitale COVID, e cila është shpërndarë në të gjithë shtetet e bllokut. Ajo tregon nëse individët: janë vaksinuar plotësisht, janë testuar negativisht ose janë shëruar nga sëmundja.

Dokumenti është lëshuar nga qendrat e autoriteteve të testimit dhe ka qenë i disponueshëm në të gjitha shtetet anëtare të BE-së që nga 1 korriku. Në këtë fazë, megjithatë, vetëm regjistrimet e vaksinimit ndaj COVID-19 të kryera nga një organ zyrtar, i autorizuar nga qeveria brenda Bashkimit Evropian, mund të regjistrohen në certifikatë. Vaksinimet nga jashtë BE -së ende nuk janë pranuar.

Gjermania

Në të gjithë Gjermaninë, rastet e koronavirusit kanë mbetur relativisht të ulëta që nga korriku, megjithëse disa ekspertë thonë se tani mund të fillojë një valë e katërt e infeksionit. Politikanët po e monitorojnë situatën me kujdes.

Si rregull i përgjithshëm, kushdo që mbërrin në Gjermani – qoftë me aeroplan, makinë, tren ose anije – duhet të paraqesë ose një rezultat negativ të testit, dëshmi të vaksinimit ose dokumentacion që vërteton shërimin nga COVID-19.

Ata që vijnë nga vende me rrezik të lartë dhe ku ekzistojnë variante të caktuara virusi, duhet të plotësojnë kritere shtesë. Para nisjes, individët duhet të regjistrohen në mënyrë digjitale. Të ardhurit nga zonat me rrezik të lartë duhet të karantinohen për 10 ditë, por mund ta shmangin izolimin nëse marrin një rezultat negativ të testitnë ditën e pestë. Gjermania aktualisht klasifikon Qipron, Portugalinë, Spanjën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar si zona me rrezik të lartë, së bashku me shumë vende jo-europiane si Egjipti, India dhe Afrika e Jugut.

Udhëtarët nga rajonet ku variantet e reja janë të përhapura, duhet të karantinohen për 14 ditë pa përjashtim. Brazili dhe Uruguai aktualisht janë të kategorizuar si të tillë. Vetëm shtetasit gjermanë dhe individët me leje qëndrimi gjermane lejohen të hyjnë në vend nga rajone të tilla.

Në Gjermani, në përgjithësi disa masa paraprake sigurie vazhdojnë të zbatohen, si përshembull respektimi i rregullave të higjienës, mbajtja e një distance minimale prej 1.5 metrash nga të tjerët, dhe mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura si dhe në transportin publik.

Franca

Dëshironi një shtëtitje të shkurtër në Francë, apo edhe pushime të gjata? Vendi është i hapur për vizitorët, por pavarësisht nga zona ku po udhëtoni, ka standarde të caktuara që duhen përmbushur.

Udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të hyjnë në Francë pa kufizime. Sidoqoftë, ata duhet të tregojnë prova të vaksinimit dhe të plotësojnë një formular hyrjeje ku deklarojnë se nuk kanë simptoma të COVID-19.

Individët e pavaksinuar që mbërrijnë në Francë nga një vend i listës së gjelbër – aktualisht të gjitha vendet e BE -së së bashku me Andorrën, Vatikanin, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Zvicrën, Shtetet e Bashkuara dhe kombe të tjera – duhet të paraqesin një PCR negativ ose test antigjeni, ose dëshmi të shërimit nga COVID-19.

Individë të pavaksinuar nga vendet e listës së kuqe – aktualisht Afganistani, Argjentina, Bangladeshi, Brazili, Kolumbia, Kosta Rika, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Indonezia, Maldivet, Mozambiku, Namibia, Nepali, Omani, Pakistani, Rusia, Seyschelles, Afrika e Jugut, Surinami , Tunizi – mund të hyjnë në Francë vetëm për qëllime të rëndësishme. Ata duhet të bëjnë teste të tjera COVID-19 dhe të karantinohen për 10 ditë.

Të gjitha vendet e tjera të listës portokalli të Francës, i nënshtrohen një karantine shtatë-ditore. Për informacion të detajuar mbi kërkesat e hyrjes, lexoni faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Franceze.

Ndërkohë, jeta publike franceze po i rikthehet gradualisht normalitetit, por kryesisht për njerëzit që janë të vaksinuar. Vendi po reagon ndaj përhapjes së variantit delta. Që nga 21 korriku, hyrja në aktivitetet kulturore dhe vendet publike nuk është më e mundur pa dëshmi paraprake të vaksinimit. Nga gushti e tutje, përdorimi i trenave në distanca të gjata si dhe hyrja në restorante, kafenetë dhe qendrat tregtare është e mundur vetëm me një certifikatë vaksinimi, PCR negativ ose test antigjeni.

Për turistët që nuk janë të vaksinuar plotësisht, pushimet në Francë mund të shndërrohen në pushime luksi, pasi testet e COVID-19 nuk ofrohen më falas.

Ndërkohë, rregullat e higjienës dhe distanca fizike mbeten në fuqi. Kufiri i jetës së natës në Francë u hoq më 20 qershor. Nuk është më e detyrueshme të mbash maska në publik. Mbulimi i gojës dhe hundës, megjithatë, është ende i detyrueshëm kur jeni në ambiente të mbyllura dhe kur përdorni transportin publik. Disa zona të vendit po tregojnë nivele më të larta të incidencës se të tjerat.

Italia

Shkalla e incidencës po rritet përsëri në Itali. Nëse hyni në vend nga një shtet i BE -së, zona Shengen, Izraeli, Kanadaja, Japonia ose Shtetet e Bashkuara, nuk do të përballeni me ndonjë problem të madh në kontrollet kufitare. Udhëtarët që hyjnë në Itali  duhet të paraqesin një formular lokalizues pasagjerësh dhe dëshmi të vaksinimit të plotë, shërimit nga COVID-19, ose një rezultat negativ të PCR-së ose testit antigjen të 48 orëve të fundit. Certifikata digjiitale e BE -së për COVID është forma e preferuar e dokumentacionit edhe në Itali. Udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, megjithatë, duhet të kalojnë një periudhë karantine pesë-ditore dhe të testohen përsëri në fund të saj.

Për të gjithë të tjerët, ekziston një sistem i komplikuar i përbërë nga pesë nivele të ndryshme, i cili vjen me testime të ndryshme dhe detyrime karantinimi. Hyrja dhe udhëtimi nëpër Itali janë të ndaluar për individët që në 14 ditët e fundit kanë qëndruar ose kanë kaluar nëpër Brazil, Indi, Bangladesh dhe Sri Lanka.

Autoritetet vendase e kanë klasifikuar vendin në katër zona të koduara: ngjyra e bardhë, e verdhë, portokalli dhe e kuqe, në përputhje me rrezikun lokal të infektimit me koronavirus. Aktualisht, e gjithë Italia i përket zonës së bardhë, me rrezik të ulët, ku jeta është rikthyer thuajse në normalitet, si në kohët para pandemisë.

Që nga 6 gushti, hyrja në restorante dhe baret e brendshme, aktivitetet sportive, muzetë, teatrot, pishinat, palestrat, llixhat, festivalet, panairet dhe parqet argëtuese është lejuar vetëm për ata që kanë marrë të paktën një dozë vaksine, të shëruar nga COVID- 19 ose rezultuar negativ. Mbajtja e maskave është e detyrueshme në vende të mbyllura publike, në ambiente të hapura të mbushura dhe në transportin publik. Ndërtesat qeveritare dhe disa dyqane masin gjithashtu temperaturën tuaj kur hyni në ambientet e tyre. Këshillohet distancë fizikisht.

Spanja

Spanja po regjistron disa nga shifrat më të larta të infektimeve për frymë, nga të gjitha vendet e BE -së. Rajonet si Madridi, Katalonja dhe Andaluzia po raportojnë përqindje veçanërisht të larta të infeksionit. Disa vende, si Gjermania, kërkojnë karantinë për të kthyerit nga Spanja.

 

Të gjithë udhëtarët duhet të plotësojnë një formular shëndetësor përpara udhëtimit të tyre. Të kthyerit nga zonat me rrezik të lartë të BE/EEA si Belgjika, Portugalia dhe Holanda duhet të tregojnë ose një certifikatë të vaksinimit të plotë, dëshmi të shërimit nga COVID-19, PCR negative ose test antigjeni.

Individët nga një sërë vendesh të treta ( të cilët nuk janë pjesë e BE) mund të hyjnë gjithashtu në Spanjë, me kusht që të mund të tregojnë prova të vaksinimit, shërimit nga COVID-19 ose test negativ.

Udhëtarët nga Brazili, Afrika e Jugut, Argjentina, Bolivia, Kolumbia dhe Namibia duhet të karantinohen deri në 10 ditë pas hyrjes.

Shumica e kufizimeve në jetën e përditshme janë hequr, megjithëse rregullat rajonale mbeten ende në fuqi. Rajonet e Madridit, Katalonjës dhe Andaluzisë kanë krijuar një kapacitet maksimal, pasi numrat e infektimeve vazhdojnë të jenë shqetësim.

Në të gjithë vendin, maskat duhet të mbahen në hapësira të mbyllura publike dhe në transportin publik, por nuk janë të nevojshme jashtë dhe kudo që mund të ruhet distanca minimale fizike prej 1.5 metrash.

Mbretëria e Bashkuar

Shumë qeveri, përfshirë atë të Gjermanisë, e kanë përcaktuar Mbretërinë e Bashkuar si një zonë me rrezik të lartë, me paralajmërime udhëtimi dhe masa karantine pas kthimit në vend. Rastet e koronavirusit kanë rënë që nga fundi i korrikut, por mbeten ende të larta. Infeksionet i janë atribuar variantit delta, i cili konsiderohet më ngjitës.

Katër kombet e Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës Veriore kanë miratuar një sistem “semafor” të ngjashëm me modelin e BE-së, duke i kategorizuar vendet në zona me rrezik të lartë, të mesëm dhe të ulët. Kërkesat e hyrjes dhe rregullat e karantinës ndryshojnë në secilin nga rajonet dhe i nënshtrohen vendimeve të çasteve të fundit. Ju lutemi sigurohuni që të merrni informacionin më të fundit nëse planifikoni të udhëtoni në Mbretërinë e Bashkuar.

Udhëtarët nga vendet dhe territoret e listës së kuqe, listë e cila aktualisht përfshin Turqinë, Argjentinën, Brazilin dhe Afrikën e Jugut, mund të hyjnë vetëm nëse janë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar, të Irlandës ose kanë të drejta të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë rast, ata duhet të bëjnë një test COVID-19 para mbërritjes, pastaj të izolohen për 10 ditë në një hotel karantine me shpenzimet e tyre, i cili kushton të paktën 1,750 Paund (2000 Euro ose 2400 Dollarë).

Udhëtarët e vaksinuar plotësisht dhe personat e mitur nga shumica e vendeve të BE -së dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë më nevojë të hyjnë në karantinë pasi të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga data 2 gusht, kërkohet vetëm një test COVID-19 para nisjes dhe në ditën pasuese, pas mbërritjes. Sidoqoftë, këto teste janë mjaft të shtrenjta.

Sipas zyrtarëve, përjashtimi nga kërkesa për karantinë vlen për këdo që është plotësisht i vaksinuar me një vaksinë të miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ose Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Më parë, vetëm njerëzit që ishin vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar ishin të përjashtuar nga rregullat e karantinës.

Udhëtarët e vendeve dhe territoreve të listuara si “të pastra”, si Belgjika, Danimarka, Franca dhe Greqia, ndër të tjera u kërkohet të bëjnë një test COVID para mbërritjes, dhe dy teste të tjera në ditën e dytë dhe të tetë pas hyrjes. Udhëtarët duhet të mbulojnë shpenzimet për këto teste. Atyre gjithashtu u kërkohet të karantinohen në shtëpi  ose tek vendqëndrimi i tyre i përkohshëm, për 10 ditë. Ata mund të zgjedhin të paguajnë shtesë, me qëllim bërjen e një testi shtesë  në ditën e pestë, i cili mund t’i lirojë më herët nga karantina.

Hyrja në Mbretërinë e Bashkuar nga vendet ose territoret e listuara me ngjyrë të gjelbër është relativisht e thjeshtë, duke kërkuar vetëm një test COVID-19 para nisjes dhe një në vazhdim, dy ditë pas mbërritjes. Australia, Zelanda e Re dhe Singapori, janë gjithashtu në këtë listë. Gjermania, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Letonia, Rumania dhe Norvegjia do të shtohen që nga 8 gushti.

Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht nga vendi ose kombësia e nisjes, duhet të plotësojnë një formular lokalizues pasagjerësh.

Mbretëria e Bashkuar është unike në lehtësimin e plotë të kufizimeve, të cilat filluan më 19 korrik. Përkundër një rritje të rasteve të varianteve delta, sektori i turizmit në Mbretërinë e Bashkuar është lejuar të rihapet plotësisht, bashkë me ambientet kulturore, si muzetë dhe teatrot. Nuk ka kërkesë për mbajtje maske. Sidoqoftë, shumica e kompanive të transportit publik e zbatojnë ende mbajtjen e maskave.

Mbretëria e Bashkuar është i vetmi vend deri më tani që ka hequr plotësisht kufizimet e qeverisë, por ende po këshillon banorët dhe vizitorët të veprojnë me kujdes.

Greqia

Për këdo që ëndërron të kalojë pushimet në breg të detit, të vizitojë monumentet e lashta ose thjesht të kridhet në ishuj, Greqia ka hapur gradualisht kufijtë e saj për shumë vizitorë, që nga mesi i majit. Rezidentët e Bashkimit Europian dhe vendeve të zonës Shengen, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Serbia, Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusia, Izraeli, Kanadaja, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Kina, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Bjellorusia, Bahreini, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Japonia, Libani, Azerbajxhani, Armenia, Jordania, Moldavia, Brunei dhe Kosova mund të vizitojnë Greqinë për arsye turistike.

Çdokush që hyn në vend duhet të plotësojë para mbërritjes një formular digjital lokalizues pasagjerësh. Një kod QR do të jetë pjesë e dokumentit të krijuar nga formulari, të cilin duhet ta tregoni në kontrollin kufitar. Mospasja e këtij kodi mund të çojë në marrjen e një gjobe prej 500 Eurosh. Ju gjithashtu duhet të paraqisni ose një PCR molekular negativ ose test antigjeni, dëshmi të shërimit ose dëshmi të vaksinimit. (Duhet të kenë kaluar  të paktën 14 ditë që nga administrimi i dozës së dytë të vaksinës.)

Udhëtarët nga të gjitha destinacionet e tjera mund të hyjnë vetëm për arsye të rëndësishme.

Qeveria greke ka hequr shumicën e kufizimeve të pandemisë. Hyrja në bare, restorante, klube nate dhe vende të tjera kërkon dëshmi të vaksinimit ose shërimit nga COVID-19. Maskat janë të detyrueshme në ambiente të mbyllura, por nuk kërkohen më në hapësirat e jashtme që janë të populluara. Sidoqoftë, Greqia ka vendosur një orar ndalimi gjatë natës dhe ka ndaluar muzikën në dy ishuj të njohur turistikë për një javë, duke filluar nga 6 gushti, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Zonat e prekura janë ishulli i Zakynthos në Greqinë perëndimore dhe qyteti i Chania në Kretë.

Austria

Austria po e merr seriozisht mbrojtjen e kufijve të saj. Kushdo që hyn atje duhet të paraqesë ose një test negativ ose dëshmi të shërimit apo vaksinimit. Një person konsiderohet i vaksinuar 22 ditë pas marrjes së dozës së parë. Për shkak të përhapjes së varianteve të virusit, udhëtimet jo thelbësore nga Brazili, Rusia, Afrika e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera mbeten të ndaluara.

Incidenca shtatë ditore është rritur në mbi 40 në Austri, ku më shumë se gjysma e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Restorantet, hotelet, teatrot dhe objektet sportive janë rihapur të gjitha. Por ende kërkohet një test negativ ose dëshmi e vaksinimit ose shërimit. Hyrja në klubet e natës u lejohet vetëm personave që janë vaksinuar, ose mund të tregojnë një rezultat negativ të testit PCR. Sidoqoftë, shumica e vendeve të tilla do t’ju kërkojnë të lini të dhënat personale për qëllime gjurmimi, nëse kërkohet.

Maskat nuk janë më të detyrueshme nëse një person mund të paraqesë një test negativ ose dëshmi të shërimit ose vaksinimit. Rregullat e distancimit fizik gjithashtu janë hequr, për aq kohë sa mund të tregohet një test negativ ose dëshmi e shërimit ose vaksinimit. Sidoqoftë, maskat prej cohe kërkohen ende në transportin publik, brenda dyqaneve dhe zyrave qeveritare.

Kroacia

Udhëtarët  nga BE dhe zona Shengen duhet të paraqesin certifikatën digjitale COVID të BE-së, për të hyrë në Kroaci. Përndryshe, ata mund të paraqesin një tampon negativ PCR, një rezultat të testit të shpejtë të antigjenit, një certifikatë zyrtare që tregon se i kanë marrë të dyja dozat e ndonjë prej vaksinave të miratuara nga BE ose një certifikatë që tregon se ata janë shëruar nga COVID-19 dhe kanë marrë një dozë të vaksinës.

Të njëjtat rregulla zbatohen për udhëtarët e vendeve të tjera.

Udhëtarët nga Britania e Madhe, Rusia dhe Qipro duhet të paraqesin një test negativ PCR ose antigjen para se të hyjnë në Kroaci.

Kafenetë, baret, restorantet dhe furrat e bukës janë të hapura. Individëve u kërkohet të mbajnë maska brenda (përjashtuar rastet kur hanë) dhe jashtë kur nuk është e mundur të distancohen fizikisht. Kinematë, muzetë, teatrot dhe vende të tjera të tilla po funksionojnë me kapacitet të kufizuar dhe orë më të shkurtra hapjeje.

Shkalla e përgjithshme e incidencës 7-ditore për 100,000 tejkaloi 30 në mes të gushtit.

Holanda

Njerëzit që vijnë nga vendet e BE -së e zonës Shengen dhe që konsiderohen të sigurt, mund të hyjnë në Holandë pa përmbushur ndonjë kërkesë të veçantë. Nëse udhëtoni me avion, duhet të plotësoni një formular shëndetësor.

Udhëtarët ë BE-së dhe Shengenit, nga vendet me rrezik të lartë, duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit, dëshmi të shërimit ose një rezultat negativ të testit. Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe vendet e tjera aktualisht klasifikohen si me rrezik të lartë.

Personat që vijnë nga vende të sigurta jashtë BE -së dhe zonës Shengen duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit ose një test negativ për të hyrë.

Udhëtarët nga vendet ose rajonet me rrezik shumë të lartë, ku janë të përhapura  variantet e reja, janë të detyruar të tregojnë një rezultat negativ të testit COVID-19 dhe karantinë, dhe duhet të kenë një arsye të rëndësishme për udhëtime.

Dyqanet, restorantet dhe ambientet kulturore janë pothuajse të gjitha të hapura, megjithëse zbatohen rregulla të rrepta të higjienës dhe distancimit fizik. Restorantet dhe baret duhet të mbyllen mes mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit. Ngjarjet kulturore duhet të kenë ulëse të përcaktuara dhe mysafirët duhet të ruajnë distancimin fizik. Klubet e natës janë mbyllur.

Këto rregulla janë në fuqi të paktën deri më 13 gusht.

Maskat mbeten të detyrueshme në transportin publik, në stacione e aeroporte dhe në shkollat e mesme.

Portugalia

Hyrja në Portugali u mundësohet udhëtarëve të Bashkimi Evropian dhe zona Shengen, në rastet kur ata mund të tregojnë prova të vaksinimit ose shërimit nga COVID-19 ose një PCR negativ ose test antigjeni.

Udhëtarët nga vendet me rrezik të lartë, të përcaktuara si vende me 500 raste ose më shumë për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit, duhet të izolohen për dy javë. Ata që bëjnë biznes thelbësor ose qëndrojnë në Portugali për më pak se 48 orë janë të përjashtuar.

Ora policore është hequr. Baret, restorantet, dyqanet dhe vendet kulturore mund të funksionojnë vetëm me kapacitet të kufizuar.

Maskat duhet të mbahen në transportin publik, në dyqane, supermarkete dhe hapësira të tjera të brendshme. Ato janë të detyrueshme jashtë, kur distancimi fizik nuk është i mundur. Ruajtja e distancimit është e detyrueshme, përfshirë plazhin.

Transporti publik funksionon me kapacitet të reduktuar për të shmangur mbipopullimin.

Portugalia ka parë infeksionet e koronavirusit që po zvogëlohen ngadalë. Sidoqoftë, numrat mbeten të lartë, me autoritete shëndetësore që regjistrojnë një shkallë incidence 7-ditore për 100,000 banorë, me mbi 150 në mes të gushtit.

Zvicra

Në fillim të qershorit Zvicra rihapi hotelet, muzetë, dyqanet, teatrot, kinematë, kopshtet zoologjike dhe parqet. Që nga fundi i qershorit, maskat duhet të mbahen vetëm në aktivitetet e ambienteve të mbyllura ku nuk kërkohet certifikatë,  si në restorante, dyqane dhe transport publik.

Klubet e natës dhe aktivitetet publike janë të hapura, me kusht që të pranishmit të mund të tregojnë një certifikatë COVID-19.

Kushdo që udhëton për në Zvicër me aeroplan duhet të regjistrohet në mënyrë elektronike. Udhëtarët që hyjnë përmes ajrit dhe që nuk kanë marrë një vaksinim të plotë e që nuk e kanë kaluar COVID-19 në gjashtë muajt e fundit, duhet të paraqesin një test negativ të PCR ose test antigjeni. Kjo vlen edhe për udhëtarët e vendeve me përqindje të lartë të varianteve të reja.

Udhëtarët e këtyre shteteve duhet të karantinohen në Zvicër.

Të gjithë këshillohen që të bëjnë një test të koronavirusit pas mbërritjes.

Danimarka

Danimarka i klasifikon vendet në zona të gjelbra, të verdha, portokalli dhe të kuqe, në varësi të situatës përkatëse epidemiologjike të tyre.

Aktualisht, shumica e vendeve të BE -së dhe zonës Shengen i përkasin kategorisë së gjelbër. Udhëtarët e këtyre vendeve mund të hyjnë në Danimarkë pa pasur nevojë për një arsye të veçantë ose pa pasur nevojë të karantinohen pas mbërritjes. Sidoqoftë, ata duhet të paraqesin një certifikatë digjitale COVID të BE-së, për të treguar se janë ose plotësisht të vaksinuar, janë testuar ose janë shëruar nga COVID-19. Dokumentacioni ekuivalent pranohet gjithashtu.

Udhëtarët nga vendet jashtë BE-së dhe jashtë zonës Shengen të klasifikuara nga Danimarka si zona të verdha, me rrezik të mesëm, nuk kanë nevojë për një arsye të veçantë për të hyrë. Ata nuk duhet të karantinohen pas mbërritjes. Sidoqoftë, kërkohet një test para nisjes, së bashku me një test të dytë jo më vonë se 24 orë pas mbërritjes. Personat e vaksinuar plotësisht me qëndrim të përhershëm në një vend të BE -së ose Shengenit janë të përjashtuar nga testimi.

Njerëzit nga zona portokalli dhe e kuqe kanë nevojë për një arsye të veçantë për të hyrë në Danimarkë dhe duhet të përmbushin një karantinë të detyrueshme 10-ditore.

Në Danimarkë, maskat nuk janë më të detyrueshme. Përjashtimet e vetme janë në aeroporte dhe në transportin publik. Restorantet dhe baret lejohen të qëndrojnë të hapura deri në orën 2 të mëngjesit. Dyqanet janë të hapura në të gjithë Danimarkën, dhe kafenetë, restorantet dhe baret lejohen të shërbejnë për klientët brenda, gjithashtu. Megjithatë, vetëm nëse klientët mund të provojnë statusin e plotë të vaksinimit, shërimit ose të tregojnë një test negativ.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19 në…