Këto janë rekomandimet e konferencës “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”
Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG) kanë publikuar rekomandimet që janë prezantuar dje në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit, të partive politike, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Rekomandimet e konferencës “Skenarët e ‘finales së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”:
– Kosova duhet të angazhohet për këtë dialog dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjidhur të gjitha çështjet dypalëshe me Serbinë, për të dëshmuar dëshirën e saj për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për një perspektivë progresive euroatlantike.
– Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje të normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke me Serbinë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se anëtarësimi në OKB nuk ka të ngjarë të garantohet në këto negociata, e aq më pak në formatin aktual.
– Është e këshillueshme që institucionet e Kosovës të shmangin/të mos ndjekin skenarin e parë dhe të tretë të identifikuar në këtë studim dhe përpjekja e tyre duhet të jetë e orientuar për skenarin e dytë, me preferencë për variantin e parë.
-Pavarësisht se cili skenar do të ndiqet, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë një rishikim të marrëveshjeve ekzistuese për të përcaktuar rrugën për të siguruar zbatimin e tyre dhe të nxjerr mësime nga to për çdo negociatë të ardhshme. Procesi i shqyrtimit duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, duhet të përfshijë të gjithë akterët kryesor institucional dhe të shoqërisë civile dhe mundësisht të përfundojë përpara se dialogu i ri të hyjë në fazën përfundimtare.
-Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë të ndërtojnë një konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme parlamentare. Kjo mund të bëhet përmes tre mekanizmave: i pari mund të marrë formën e një ekipi të përbërë nga partitë dhe interesat e ndryshme politike, duke përfshirë shoqërinë civile dhe botën akademike; i dyti duhet të përbëhet nga Kuvendi i Kosovës (duke përfshirë komisionet relevante); dhe i treti një zyrë teknike dhe koordinuese në zyrën e Kryeministrit, e cila do të mbulonte zbatimin e marrëveshjeve.
– Duke pasur parasysh kohën disi të kufizuar në dispozicion përpara fillimit të fazës së re të dialogut, institucionet e Kosovës duhet të iniciojnë një proces konsultimi të gjerë politik dhe publik me qëllim të miratimit të një mandati dhe një strukture për ekipin negociues dhe platformës, gjithashtu.
– Liderët e Kosovës duhet të insistojnë që faza përfundimtare e dialogut duhet të ketë një afat kohor të qartë dhe duhet të rezultojë në një marrëveshje përfundimtare që është ligjërisht e detyrueshme dhe e jo e dykuptimtë.
– Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë që dialogu të mos anashkaloj aspekte të tjera të reformës institucionale (në arsim, shëndetësi, ekonomi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.) dhe procesin e shtet-ndërtimit, të cilat duhet të vazhdojnë paralelisht me dialogun.
– Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të diskutohet në publik dhe në Kuvend dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese (me fjalë të tjera, me shumicë prej 2/3).
– Qeveria e Kosovës duhet të intensifikoj një dialog të brendshëm dhe shoqëror me serbët vendas (përfaqësuesit, udhëheqësit e komunitetit, dhe shoqërinë civile) së bashku me dialogun ndërqeveritar me Serbinë si një mënyrë për integrimin dhe fuqizimin e serbëve lokalë të Kosovës.
/Epoka e re/