Këto janë temat që do të diskutohen në tryezën e organizuar nga LDK-ja
Tryeza e partive politike për tejkalim të krizës institucionale dhe politike e cila është organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të mbahet të mërkurën duke filluar nga ora 13:00.
Siç ka njoftuar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, një ndër tri temat që do të diskutohen në këtë tryezë do të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Postimi i plotë i Hotit:
Shumica e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga LDK-ja, që mbahet të mërkurën në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës.
LDK-ja vlerëson se vendi ka hyrë në krizë institucionale dhe politike, veçanërisht pas humbjes së shumicës në Kuvendit e Kosovës të koalicionit qeverisës.
Si rezultat i kësaj gjendjeje, temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen, prandaj, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.
Është në interesin më të mirë të qytetarëve që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me:
(i) Temat e rëndësisë nacionale,
(ii) Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave, pavarësisht kush qeveris, si dhe
(iii) Përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike, për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice.