Këto janë temperaturat për ditët e ardhshme
Fushat me presion të lartë atmosferik që kanë përfshirë Gadishullin e Ballkanit do të jenë të qëndrueshme gjatë këtyre dy ditëve, duke krijuar kushte për mot me diell dhe re të shpërndara. Kështu thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
“Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë Celsius. Pjesa jugore e kontinentit dhe jugperëndimore do të mbetet nën ndikimin e masave të fuqishme të ajrit afrikan, të cilat do të ndikojnë që merkuri në termometër të regjistrojë vlera mbi 40 gradë Celsius”, është thënë në njoftimin e IHMK-së, duke u shtuar se kjo situatë termike do të zgjasë 4-6 ditë. Te ne temperaturat do të rriten pas 3-4 korrikut.
“Sa i përket fushave barike, ato janë dhe do të mbeten të larta, për disa milibar mbi vlerat e normales. Indeksi UV edhe më tej mbetet shumë i lartë, prandaj preferohet respektimi i këshillave të alarmuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare”, është thënë tutje në njoftim.