Këto janë vendimet e Qeverisë të miratuara në mbledhjen e 75-të
Qeveria e Republikës së Kosovës është informuar të martën për realizimin e projektit për impiantin e trajtimit te ujërave të zeza dhe për procesin e zgjidhjes së statusit të zjarrfikësve në Republikën e Kosovës.
Një nga lajmet më të mira sa i përket zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera të veçanta është miratimi i koncept-dokumentit për financat e pushtetit lokal, i cili i hap rrugë ligjit të ri që do e bartë buxhetin e tyre në nivel qendror.
Deri tani zjarrfikësit janë menaxhuar nga niveli qendror, por janë paguar nga buxheti lokal. Tani me ligjin e ri që do të pasojë nga ky koncept dokument, do të zgjidhet njëherë e mirë statusi i zjarrfikësve dhe do të hapet rrugë për vende të reja të punës, kushte më të mira pune dhe pagë më të mirë.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar është informuar edhe për promovimin e transportit për ambient të pastër, që rekomandon përgatitjen e një pakete të masave lehtësuese për blerësit e makinave hibride/elektrike me qëllim të nxitjes së këtij lloji të veturave sipas praktikave që zbatohen në Bashkimin Evropian. Gjithashtu është shqyrtuar edhe rekomandimi që institucionet publike të zëvendësojnë mjetet e tyre të transportit me këtë lloj të veturave.
Qeveria e Kosovës është informuar edhe për përgatitjet për prezantimin e Strategjisë Nacionale të Menaxhimit të Mbeturinave. Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për një strategji nacionale për trajtim të mbeturinave, me qëllim që Kosova të zhvillohet drejt një shteti ekologjik dhe me ambient të pastër.
Po ashtu në këtë mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar raportin për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane 2016-2018 si dhe ka shqyrtuar listën e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane – ERA II për vitin 2019.
Në këtë drejtim, Projektligji për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës ka marr miratimin e Qeverisë së Kosovës. Ky projektligji përcakton parimet, objektivat dhe organizimin e arsimit të lartë si dhe rregullat për krijimin, organizimin, funksionimin, mbylljen, financimin, akreditimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Kabineti Qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe “Unicredit Bak Austria AG” për projektin e sistemimit për largimin e ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.
Gjithashtu në këtë mbledhje është miratuar udhëzimi administrativ i cili rregullon kategorizimin dhe mënyrën e pagesës së trajnerëve në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar dhe miratuar koncept- dokumentin për financat e pushtetit lokal.
Në mbledhjen e 75 të Qeverisë është miratuar edhe kërkesa e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për caktimin e shumës financiare për familjet e personave të zhdukur me rastin e organizimit të ceremonisë për rivarrimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur që identifikohen. Vlera e mbështetjes është 400 euro.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për aprovimin kërkesës së Zyrës së Presidentit për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 100 mijë euro për pagesën e konsulencës për kompaninë amerikane “Ballard Partners”.
Edhe kërkesa e Komunës së Mitrovicës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 200 mijë euro për pagesën e obligimeve për furnizim me medikamente mjekësore dhe material shpenzues në institucionet shëndetësore të kësaj komune, ka marr miratimin e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë nënshkrimin e tri marrëveshjeve të kredisë me “Unicredit Bank Austria AG” për financimin e projekteve: ndërtimi i fabrikës së ujit të pijes në Komunën e Graqanicës; ndërtimin e fabrikës së ujit të pijes në Komunën e Istogut; dhe projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Shtimes.
Qeveria në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për dhënie në shfrytëzim të përkohshëm të pronës së evidentuar në emër të Spitalit Rajonal të Prizrenit, që nuk është në shfrytëzim, për nevoja të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Edhe vendimi tjetër i kabinetit qeveritar për bartjen e pronës së Qendrës së Klinikës Universitare në pronësi të Komunës së Prishtinës, është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.
Bartja e kësaj prone bëhet me qëllim që të adresohet kërkesa e Ambasadës Gjermane për ndërtimin e objektit të Ambasadës në këtë hapësirë.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për themelimin e Bordit këshillues për Agjencionin për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë.
Qeveria ka aprovuar në parim nismën për nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim me vendet e EFTA-s, që përbëhet nga Islanda, Principata e Lihtenshtajnit, Mbretëria e Norvegjisë dhe Konfederata Zvicerane.
Është miratuar Projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë V të marrëveshjes së CEFTA-s.
Kabineti qeveritar është informuar edhe për zhvillimet në procesin e konsolidimit dhe funksionalizimit të “Trepçës”, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme ka kërkuar nga të gjitha strukturat e Qeverisë që të respektojnë Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare në procesin e negocimit dhe lidhjes së marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare.
Ministri i Forcës së Sigurisë ka kërkuar dhe Qeveria ka miratuar vendimin që prona e paluajtshme pranë Ministrisë së Forcës së Sigurisë, që deri tani shfrytëzohej nga KFOR-i, të kalojë në pronësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
/Epoka e re/