KF 2 Korriku, në duar të sigurta

20 korrik 2018 | 18:11

KF 2 Korriku është në duar të sigurta, pasi në krye të shtabit teknik është emëruar Besim Ademi, i cili ka një karrierë të pasur si futbollist dhe golat e tij ishin shumë të rëndësishëm për këtë klub në elitën e futbollit të Kosovës. Sukseset e Ademit janë të mëdha edhe në grupmoshat e 2 Korrikut, pa harruar edhe arsimimin jashtë vendit.

Besim Ademi është trajner i ri i skuadrës së 2 Korrikut nga Prishtina. Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë në këtë klub, kurse më pas u dëshmua edhe si trajner i suksesshëm me grupmoshat e reja, çfarë ndikoi që kryesia e klubit një vit më parë t’i ofrojë detyrën e trajnerit në skuadrën e seniorëve, por Ademi e kishte refuzuar këtë ofertë dhe e vazhdoi punën me grupmoshat U17.

Besim Ademi të enjten për “Epokën e re” ka thënë se ishte momenti më i përshtatshëm që ta marrë drejtimin e ekipit të parë, ani pse kjo është një punë me përgjegjësi të madhe.

“Edhe vitin e kaluar kemi qenë në bisedime për ta marrë drejtimin e ekipit të parë, por në fund vendosa ta vazhdoj punën me U17-shat. Ka qenë kërkesë edhe këtë vit e kryesisë që ta marrë ekipin e parë dhe kjo është një punë edhe me përgjithësi më të madhe. Do të punoj maksimalisht që 2 Korriku të zhvillojë lojëra të bukura dhe të marr rezultate pozitive”, ka thënë Ademi, i cili nuk ka hezituar t’i tregojë edhe synimet që ka me skuadrën e 2 Korrikut në debutimin e tij si trajner. Ai ka thënë se mbetja në ligë do të jetë fillimisht synim i skuadrës nga Arbëria, kurse më pas, pse jo, edhe një vend në mesin e tabelës. “Duke e ditur moshën e re të lojtarëve ku shumica nga ta janë 18-19-vjeçar, mbetja në Ligën e Parë për këtë vit është synimi kryesor, pastaj të shohim. I kam përcjell në vazhdimësi këta djelmosha dhe mund të them lirisht se kanë shumë cilësi por, ndoshta, mosha e tyre nuk na lejon të jemi shumë kërkues dhe ideale për 2 Korrikun do të ishte mesi i tabelës”, ka deklaruar ai.

Ish-sulmuesi i famshëm foli edhe për skuadrat kundërshtare, kurse veçoi disa prej tyre si më të fortat për t’u përballur. Ndërsa për Ligën e Parë ka shprehur mendimin se është më e fortë se në vitet e kaluara. “Këtë vit Liga e Parë është shumë më e fortë se në të kaluarën. Vëllaznimi, Vushtrria, Besa e Pejës, pa përjashtuar edhe ekipet e tjera, përfshirë edhe Dukagjinin që ka bërë një organizim të mirë, janë skuadrat më të forta dhe pretendente për t’u inkuadruar në Superligë”, ka shtuar Ademi.

2 Korriku njihet në Kosovë si skuadra që nxjerrë talente të shumtë. Lidhur me këtë, Besim Ademi beson se shumë shpejt nga ky klub do të dalin futbollistë të tjerë që mund të luajnë jashtë Kosovës. “Duke ditur cilësitë e shumë lojtarëve që kemi, mund të them se në vitet e ardhshme do të dalin lojtarë nga klubi ynë që mund të luajnë në nivel më të lartë se futbolli i Kosovës”, ka përfunduar Ademi.

2 Korriku edicionin e fundit e mbylli në pozitën e dhjetë me 37 pikë të grumbulluara.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka zhvilluar të…