KF Drenica: Trajneri Gani Sejdiu nuk është sulmuar
KF Drenica ka reaguar nëpërmjet një njoftimi për medie lidhur me rastin e sulmit ndaj trajnerit Gani Sejdiu.
Klubi kuqezi nga Skenderaj ka mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë, por konfirmon se ka pasur vetëm diskutime normale dhe të arsyeshme të kryesisë së KF Drenica dhe kryesisë së tifozëve ‘Shqiponjat e Zeza’.
Reagimi i plotë nga KF Drenica:
Klubi Futbollistik ‘Drenica’ , njofton të gjithë opinionin futbolldashës dhe komunitetin sportiv, që nuk janë të vërteta pretendimet e disa medieve, të shkruara sot, që është sulmuar trajneri i KF Drenica, Gani Sejdiu të martën mbrëma.
KF Drenica, për hir të korrektësisë dhe informimit sa më të drejtë të opinionit, njofton se tifozët e klubit, ‘Shqiponjat e Zeza’, kanë qenë të revoltuar nga humbja e ekipit nga FC Prishtina, dhe normalisht kanë pasur pakënaqësi, pasi që të gjithë do të donin që Drenica të kishte paraqitje më të mirë dhe t’i afrohej finales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, por e theksojmë së nuk ka pasur asnjë sulm ndaj askujt e as trajnerit të KF Drenica.
Ka pasur diskutime normale dhe të arsyeshme të kryesisë së KF Drenica dhe kryesisë së tifozëve ‘Shqiponjat e Zeza’, por asnjë lloj sulmi nuk ka pasur ndaj askujt.
Gjithashtu KF Drenica, njofton opinionin dhe të gjithë dashamirët e futbollit dhe të klubit, se ekipi ditën e mërkurë (dje) me 03/06/2020, ka zhvilluar përgatitjet normalisht pa asnjë problem. Pra pretendimet e disa medieve të lansuara sot (e enjte) nuk qëndrojnë.
Klubi, iu bënë sërish thirrje si shumë herëve të tjera, medieve që të jenë korrekte dhe të mos keq informojnë opinionin me lajme të pa baza, dhe para plasimit të informatave të tilla, mediet lutën që të komunikojnë me drejtuesit e klubit, për të marrë prononcime, ku klubi gjithmonë ka qenë i hapur dhe transparent me mediet. Andaj kërkojmë edhe njëherë nga mediet që të jenë më korrekte në raportimin e ngjarjeve dhe të kontaktojnë drejtuesit e klubit për të marrë informacione të sakta për para se të lansohen shkrimet në media.
KF Drenica, ka qenë dhe është gjithmonë e hapur të bashkëpunoj dhe të informojë mediet dhe opinionin në mënyrën me korrekte të mundshme, andaj kërkojmë mirëkuptim dhe korrektësi edhe nga ana e medieve.
(V.Z / Epoka e re)