KFF Mitrovica kampione e Sigal Superligës, presidenti Ademi uron klubin mitrovicas për këtë sukses

12 maj 2024 | 16:02

KFF Mitrovica është kurorëzuar me titullin e kampionit në Sigal Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave. Ceremonia e dekorimit të kampionit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës pas ndeshjes së javës së 20-të, ndërmjet Mitrovicës dhe Llapit, e cila u mbyll me fitoren bindëse të mitrovicasve, me rezultat 8:0.

Trofeun për kapitenen Kaltrina Biqkaj e ndau presidenti Agim Ademi, derisa medaljet i ndanë Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja e Ismajl Ajeti, anëtarë të KE të FFK-së, Përparim Drini drejtor gjeneral i Sigalit në Kosovë, Vesa Broja, kryesuese e Asamblesë komunale në Mitrovicë dhe drejtori për sport në këtë komunë, Fahri Jashari.

Të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së kampionit ishin edhe personalitete të shquara të futbollit mitrovicas, si Ajet Shosholli, Rafet Prekazi e Gani Sejdiu.

Për KFF Mitrovicën ky është titulli i pestë i kampionit.

Presidenti Ademi ka uruar klubin mitrovicas për këtë sukses.

“Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin e trajnerëve si dhe futbollistet e Mitrovicës për titullin e kampionit, me çka dëshmuan edhe një herë se kur ka organizim të mirëfilltë suksesi nuk mungon. Uroj që KFF Mitrovica ta përfaqësojë futbollin tonë denjësisht në Ligën e Kampionëve. Urime Mitrovicë!”, ka shkruar kreu i FFK-së në rrjete sociale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës…