KFOR-i: 15 ushtarë italianë të plagosur në Zveçan kthehen në shtëpi
Personeli ushtarak italian i dislokuar me misionin e NATO/KFOR-it të plagosur gjatë protestës së paprovokuar në veri të Kosovës u transportuan për në Itali. Kështu është bërë e dituar përmes një komunikate për shtyp nga zyra e KFOR-it në Kosovë.
Përveç 11 ushtarëve italianë, të cilët u plagosën në sulmet e paprovokuara kundër njësive të KFOR-it të dislokuara në komunën e Zveçanit më 29 maj, ishin edhe 8 ushtarë të tjerë nga kontingjenti italian i Komandës Rajonale Perëndimore të stacionuar në Pejë, të cilët ishin referuar me lëndime të lehta.
Sot, 15 nga 19 trupat janë kthyer në Itali dhe janë transferuar në spitalin ushtarak italian “Celio” (ROLE 4) për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre.
Ushtarët e regjimentit të 9-të janë lënduar gjatë përmbushjes së detyrës së tyre, duke u ndërhyrë mes palëve, në përputhje të plotë me mandatin e KFOR-it, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar ushtarët italianë në aeroportin e Prishtinës, për t’i uruar edhe një herë shërim të shpejtë dhe të plotë.
Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO qëndron plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së dhe në sigurimin e kornizës së sigurisë të nevojshme që dialogu i udhëhequr nga BE-ja të ecë përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.