KFOR-i demanton mediat serbe: Nuk kemi marrë nën kontroll Liqenin e Ujmanit
Ushtarët e KFOR-it, nuk kanë marrë nën kontroll Liqenin e Ujmanit mirëpo, prania e trupave është pjesë e një ushtrimi të planifikuar më herët, ka thënë për REL një zyrtar për media i KFOR-it.
Më herët është raportuar se KFOR-i, ka marrë nën kontroll liqenin artificial të Ujmanit në veri të Kosovës, që është më i madhi në vend e që menaxhohet nga serbët.
“KFOR-i nuk ka marrë nën kontroll asgjë. KFOR-i ka mbajtur një ushtrim të planifikuar që dy ditë”, ka thënë zyrtari i KFOR-it.
“Ne kemi bërë një ushtrim të planifikuar në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në veri. Kjo është bërë për t’i testuar kapacitetet dhe gatishmërinë e ushtarëve të KFOR-it”, ka thënë ai.
Ndërsa sipas raportimit të mediave serbe ushtarët e KFOR-it janë vendosur në fillim të digës së Liqenit të Ujmanit, kurse automjet dhe e KFOR-it kanë bllokuar të gjitha rrugët që shpiejnë te liqeni.