KFOR-i demanton Vuçiqin: Situata në Kosovë është e qetë
Zëdhënësi i KFOR-it, Pio Sabeta, duke komentuar pretendimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për sulme ndaj serbëve në Kosovë gjatë vjeshtës, ka thënë se situata në Kosovë monitorohet çdo ditë.
“Situata e sigurisë është rezultat i shumë faktorëve, siç janë ekonomia, politika, prosperiteti . Gjithçka që mund të ndikojë në situatën e sigurisë monitorohet çdo ditë për të përcaktuar se çfarë masash mund të nevojiten”, ka thënë ai për gazetën serbe “Danas”.
“Danas”-i ka pyetur nëse KFOR-i ka ndonjë njohuri për një organizatën terroriste shqiptare “B-13”, për të cilën disa medie në Serbi kanë shkruar se planifikon të sulmojë serbët në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok përpara zgjedhjeve të Kosovës, Sabeta ka thënë se në përputhje me mandatin e marrë në bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit “nuk ka asnjë rol në sundimin e ligjit ose zbatimin e ligjit në Kosovë dhe nuk është i përfshirë në luftën kundër terrorizmit, pasi është jashtë mandatit të tij, por KFOR është duke monitoruar nga afër dhe vazhdimisht situatën”.
Sabeta është përgjigjur në mënyrë pozitive në pyetjen nëse KFOR-i është i gatshëm të garantojë sigurinë për banorët e Kosovës në ditën e zgjedhjeve.
“KFOR-i kontribuon në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të paanshme, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre. Po ashtu KFOR mbetet i përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.
“KFOR-i do të vazhdojë të veprojë, duke punuar ngushtë me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë edhe në ditën e zgjedhjeve”.
“Nëse do të ketë një paralajmërim të çfarëdo lloji në lidhje me një shkelje të mundshme të sigurisë, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur sigurinë e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX, në të mirë të çdo qytetari që jeton në Kosovë”, ka thënë ai.
Vuçiqi për “TV Prva” kishte thënë se nuk përjashton mundësinë e incidenteve në Kosovë, “porse nuk do të ketë zbatim të planit të “B-13”, meqë Serbia nuk do të lejojë pogrom ose vrasje të serbëve”.