KFOR-i dhe EULEX-i ishin prezentë kur u gjet arsenali i armëve në veri nga Policia e Kosovës
Krejt çka pati brenda vetura që u gjet një natë më parë në Zveçan mes ndërtesave të banimit kolektiv, rreth 100 metra larg objektit komunal, u treguan të shtunën në kampin e policisë Belvedere në Mitrovicë.
Veçse deri te momenti i kapjes së arsenalit të armëve, punë të madhe u tha se bëri Agjencia e Kosovare e Inteligjencës, që ndali një sulm terrorist në Kosovë, raporton Klan Kosova.
“Vetura është sekuestruar dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zola, 2 lansues, 2 osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, 1 shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurtra, 5.756 fishekë të kalibri të ndryshëm, 18 molotovë, e të tjera, si dhe sasi e narkotikëve”, bëri të ditur Gazmend Hoxha, drejtori i policisë.
Pjesa më e madhe e armëve, sipas hetimeve, janë prodhuar para dy vjetësh në Serbi.
E KFOR-i bashkë me EULEX-in ishin në vendngjarje kur policia gjeti makinën me plot armatim në pronësi të ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Serbisë”, derisa pati edhe jo pak emblema të grupeve kriminale që veprojnë në veriun e Kosovës, të cilat po kërkohet të shpallen organizata terroriste.
U bë e ditur se ato janë veç pak, nga armatimi që hyri në Kosovë nga Serbia këto ditë. Mjetet e tjera të dyshimta për kontrabandë po i hetojnë organet e sigurisë.