KFOR-i e demanton Hetemin për “listën e zezë” të hyrjes në Komunën e Leposaviqit
KFOR-i ka reaguar pas deklaratave se ata i kanë në “listë të zezë” disa zyrtarë të cilëve iu ndalohet hyrja në Komunën e Leposaviqit. Konkretisht për deklarimet e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Përmes një deklarate për media, KFOR-i ka hedhur poshtë pretendimet për ndalimin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës në Leposaviq, duke i cilësuar ato të pabazuara.
Në një reagim, KFOR, garanton transparencë dhe angazhim për një mjedis të sigurt sipas mandatit të saj në territorin e Republikës së Kosovës.
”Në përgjigje të akuzave që qarkullojnë në media se KFOR-i ka “lista të zeza” që ndalojnë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës të hyjnë në Komunën e Leposaviqit, KFOR-i deklaron se këto pretendime janë të pabazuara dhe i hedh poshtë fuqimisht këto akuza.
KFOR-i u bën thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.
KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në të gjithë Kosovën. Gjithashtu, KFOR-i mban komunikim të rregullt me të gjithë partnerët kryesorë.
KFOR-i ruan standardet më të larta të transparencës në komunikimin e aktiviteteve të tij përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të cilat janë të disponueshme për publikun”.