KFOR-i: Grupet kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme në Zveçan
Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.
Atë ditë protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, dhe të plagosur ka pasur prej të dyja anëve.
Në një konferencë për medie, Gallieni, i ka komentuar të premten ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”.
Ai ka thënë se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi, raporton REL.
Njëra palë, për marrjen e vendimeve, pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë, dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 9 qershor.
Ata po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Zyrtari i KFOR-it, ka thënë se prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë shkuar në Kosovë, për të përforcuar misionin.
Gallieni ka thënë se forcat janë duke u trajnuar dhe do të angazhohen brenda disa ditësh.
Ai ka thënë se përforcimet do të jenë në Kosovë “aq sa të ketë nevojë”.