KFOR-i i drejtohet universitetit serb në Mitrovicën e Veriut me “Universiteti i Prishtinës”
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ka vizituar Universitetin serb në Mitrovicë të Veriut dhe iu ka drejtuar me emrin “Universiteti i Prishtinës”.
“Takimi ishte një mundësi për të theksuar rëndësinë e arsimit tek gjeneratat e reja dhe për të thelluar bashkëpunimin e mundshëm me #KFOR-in”- thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it, MG Angelo Michele Ristuccia, është takuar me profesorin Nebojsha Arsiq, rektor i Universitetit në Mitrovicë, foto: KFOR
Universiteti serb në Mitrovicë pretendon së është seli e Universitetit të Prishtinës, përderisa financimin e ka nga Serbia dhe është jashtë strukturave të sistemit të arsimit në Kosovë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 Universitetin në Mitrovicë Veriore autoritet serbe e kanë quajtur zhvendosje të Universitetit të Prishtinës.
Në javët e fundit në publik është diskutur për largimin e emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës për të ruajtur emrin autokton të Universitetit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi kishte thënë për Klan Kosovën se është menduar që të largohet emërtimi “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës.
“Po e shqyrtojmë rikthimin e emrit origjinal e pakta përpara ndryshimit të statutit të fundit universiteti, pra Universiteti i Prishtinës”- kishte thënë Qerimi.
Fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi, SHHSHM-Shkup (Shoqata e Historianëve Shqiptar në Maqedoni) përmes një aksioni kanë kundërshtuar heqjen e emrit ‘Hasan Prishtina’ nga Universiteti i Prishtinës.
Profesori Shefqet Hoxha, përfaqësues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Luma”, ka thënë se janë kundër heqjes së emrit ‘Hasan Prishtina’.
“Të hiqet emri i Hasan Prishtinës nga Universiteti për mua është një çmenduri, sepse është ndër figurat më të shquara të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë. Ata që e kanë menduar këtë kanë gabuar rëndë”- ka thënë Hoxha, shkruan kallxo.com.
Në vitin 2012 ishte marrë vendim që Universitetit të Prishtinës t’i bëhet emri “Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina”.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.