KFOR-i italian i dhuron MSh-së një automjet mjekësor
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka falënderuar KFOR-in italian për angazhimin e tyre për ruajtjen e paqes në Kosovë, donacionin e dhënë sot si dhe kontributin e vazhduar për shëndetësinë e Kosovës.
“Është një ditë shumë e mirë për ne ngase miqtë tanë nga KFOR-i italian kanë vendosur të na dhurojnë një automjet mjekësor. Jam i nderuar të pranoj këtë donacion të nevojshëm që do ta modernizojë flotën e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”, tha ministri Latifi.
Ai falënderoi edhe zëvendës-ambasadorin e Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero, po ashtu i pranishëm në këtë ceremoni, për bashkëpunimin për të shtyrë para programin e trajnimeve për profesionistët mjekësor të Kosovës në fushën e kirurgjisë dhe kardiokirurgjisë së fëmijëve.
Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Brig. Gjeneral Luigi Piperni tha se në fund të bashkëpunimit intensiv me institucionet e Kosovës, donacioni i sotëm është shenjë e një investimi të rëndësishëm në mbarë sistemin shëndetësor të Kosovës.