KFOR-i për arrestimet: Asnjë forcë ushtarake nuk u dërgua në veri
KFOR- i ka reaguar pas aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës ku u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Në lidhje me zhvillimet aktuale në Mitrovicë, KFOR-i informon se në mëngjesin e hershëm, Policia e Kosovës ka kryer një operacion policor, pas një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Prishtinës, në lidhje me hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Mitrovicën e Veriut dhe pastaj u kthyen në barakat e tyre”, është thënë në komunikatën e KFOR-it.
Po ashtu bëhet me dije se nuk kishte asnjë veprim të paligjshëm ose ushtarak dhe nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë e vendit dhe sigurinë e qytetarëve.
“KFOR-i konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe as FSK-ja e as ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është dërguar në veri të Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.
Në reagimin e KFOR-it thuhet se situata është stabile.
“Situata mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll në terren, megjithëse KFOR-i është i vetëdijshëm se ka tensione në rritje në nivel politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti i KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me kontestet paqësisht dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës apo dhunës. Megjithatë, KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të ruajë prezencën në terren, me shpresën se nuk do të ketë nevojë të ndërhyjë”, është theksuar në komunikatën e KFOR-it.
/Epoka e re/