KFOR-i: Po shqyrtojmë kërkesën e Serbisë për dislokimin e trupave
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka konfirmuar se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1 000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë është thënë në përgjigjen e KFOR-it, dërguar “Radios Evropa e Lirë”.
“KFOR-i vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, ka njoftuar KFOR-i.
Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi bënë të ditur se kanë vendosur që t’i drejtohen KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se është e qartë se kërkesa do të refuzohet.
Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit.