KFOR-i: Të ndalen provokimet, kemi kapacitetet për të ofruar siguri
Nga java e shkuar, rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak e Jarinjë janë bllokuar nga barrikadues serbë, që po protestojnë pas arrestimit të një ish-polici i cili dyshohet për sulmet ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në komunat e veriut, në përpjekjet e shtetit për t’i organizuar zgjedhjet që fillimisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për shkak të tensioneve.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që të ndalen shfaqjet provokuese të forcës në veri të Kosovës, teksa ka përsëritur që ka kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar siguri.
Në një reagim në Twitter të premten, KFOR-i ka përsëritur se po e monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës.
“KFOR-i ka kapacitetet dhe personelin për të ofruar siguri dhe ambient të sigurët e lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë që buron nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka shtuar se që nga tetori ka përforcuar praninë, duke përfshirë shtimin e trupave, por edhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë.
“Presim që të gjithë akterët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqja provokuese e forcës, që të ofrohet siguri për të gjitha komunitetet.
Nxisim të gjitha palëve të angazhohen për të mundësuar siguri dhe lëvizje të lirë në Kosovë. KFOR-i do ta vazhdojë përmbushjen e mandatit të vet për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të synohen nëpërmjet dialogut”, shkruhet më tej në postimin e Twitterit.
Po të premten, misioni i KFOR-it ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë për mundësinë e kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.