KFOR-i tregon pse refuzoi kërkesën për transferimin e Pantiqit me helikopter
Barrikadat e vendosura nga serbët lokalë i kanë bërë dy javë që po qëndrojnë në vendin e njëjtë.
Misioni i KFOR-it ka konfirmuar se për shkak të mungesës së sigurisë është refuzuar kërkesa e Kosovës që përmes një helikopteri, i arrestuari Dejan Pantiq të transferohej nga Jarinja për në Prishtinë.
Helikopterë të KFOR-it tash e dy javë monitorojnë rregullisht situatën në veriun e barrikaduar nga serbët.
Një helikopter të ngjashëm e kishte siguruar edhe Policia e Kosovës përmes së cilit synohej që ish-zyrtari policor serb i Kosovës, i arrestuar për sulm terrorist, Dejan Pantiq, të transferohej nga stacioni policor në Jarinjë për në Prishtinë.
Por, KFOR-i ka konfirmuar për RTV Dukagjini se kërkesa për përdorimin e këtij helikopteri është refuzuar për shkak të mungesës së sigurisë.
“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Çdo kërkesë e refuzuar ishte për shkak se, si në situatën aktuale, nuk kishte kushte të nevojshme të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha të enjten se për këtë çështje po presin një përgjigje definitive nga KFOR-i.
Televizioni ka pyetur Policinë dhe MPB-në nëse kanë gjetur ndonjë mënyrë tjetër për transferimin e Pantiqit, por nuk ka marrë përgjigje.
Në ndërkohë, situata në veri të vendit gjatë ditës së shtunë ka qenë e qetë.
Ani pse janë bërë dy javë që rruga që të çon në pikën kufitare në Jarinjë është e bllokuar nga barrikadat, ato nuk janë larguar akoma.
Aty, pos nga hapësira ajrore, situata po monitorohet edhe nga toka përmes trupave të KFOR-it.
Por, brenda Mitrovicës së Veriut, në Lagjen e Boshnjakëve të banuar me shumicë shqiptare, patrullon Policia e Kosovës.
Për qytetarët e kësaj lagjeje është e rëndësishme që dikush të kujdeset për ta.
“Pa marrë parasysh cili nacionalitet na mbron na e përkrahim, por sidomos kur është policia jonë është normale edhe e tyre me kanë”, ka thënë banori, Ali Jusufi.
Barrikadat janë vlerësuar të paligjshme edhe nga ndërkombëtarët, të cilët bëjnë thirrje që serbët ashtu siç i kanë vendosur, t’i largojnë ato.