KFOR pas takimit me Listën Serbe: Jemi të përgatitur për ta adresuar çdo zhvillim të sigurisë

31 gusht 2024 | 18:47

Misioni i NATO-s ka prani të dukshme në Kosovë dhe është i përgatitur për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Kështu ka deklaruar zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca, pas takimit të sotëm në Prishtinë me drejtuesit e Listës Serbe.

Sipas njoftimit të KFOR-it, në këtë takim gjenerali Bernacca dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni vizitues.

“Ai përsëriti përkushtimin e palëkundur të misionit për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së. Në këtë drejtim, KFOR-i vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ky takim i delegacionit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, vjen një ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele në veri të Kosovës.

Të premten Policia e Kosovës mbylli strukturat paralele serbe në katër komunat në veri. Reagimi ishte i menjëhershëm nga partnerët ndërkombëtarë që e cilësuan të njëanshëm veprimin e Kosovës.

Policia ka thënë se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

Ndërkohë, në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, Policia gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.

“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, u tha në njoftim.

Aksioni u krye me kërkesë të Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Ministri Elbert Krasniqi tha se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës. /Reporteri.net/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të themelimit…