KFOR publikon një sqarim rreth takimit Hoti- Stoltenberg, thotë se s’ka lidhje me incidentet si ai i Karaçevës
Misioni i KFOR-it në Kosovë ka sqaruar natyrën e takimit që do të ndodhë sot mes kryeministrit Avdullah Hoti me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Përmes një komunikate për medie, KFOR-i ka thënë se takimi Hoti-Stoltenberg ka qenë i planifikuar për një kohë të gjatë dhe nuk lidhet me incidentet e kohëve të fundit siç është ai i Karaçevës.
“NATO dhe KFOR-i theksojnë se misioni i KFOR’it mbetet i pandryshuar për të mbajtur një ambient të sigurtë dhe liri të lirë të lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244. Takimi mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe z. Avdullah Hoti është i planifikuar për një kohë të gjatë dhe nuk lidhet me incidentet specifike të kohëve të fundit. NATO vazhdon të përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja mes Beogradit dhe Prishtinës i cili është thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, është thënë në komunikatën e KFOR-it.
Kryeministri Avdullah Hoti do të takohet sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.
Hoti dje ka zhvilluar takimin e nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq për të vazhduar dialogun mes dy shteteve.