KFOS-i lanson “Panelet diellore në shkolla” në Prishtinë
Të premten u lansua projekti “Panelet diellore në shkolla në Ballkanin Perëndimor” në dy shkollat e ulëta të mesme “Qamil Batalli” dhe “Iliria” në Prishtinë.
Mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, dhe realizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Jaha Solar, ky projekt synon të promovojë tranzicionin energjetik duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë së pastër dhe të ripërtërishme – si dhe të mundësojë shkollat publike të ulin shpenzimet në energji dhe t’i shfrytëzojnë këto mjete për nevoja tjera.
Si rezultat i këtij projekti, dy shkolla pilot të komunës së Prishtinës “Qamil Batalli dhe “Iliria”, kanë përfituar me instalime të paneleve solare me kapacitet prej 20.25 kW dhe 18.9 kW, respektivisht, të cilat do t’iu mundësojnë shkollave të kursejnë prej 21 për qind dhe 30 për qind në faturat e tyre të rrymës. Në terme monetare shkollat do të mund të kursejnë prej 2,200 deri ne 2,500 euro në vit vetëm nga faturat e tyre të rrymës.
Projekti synon të zgjerojë burimet e të ardhurave për shkollat publike, të forcojë vetëqeverisjen dhe pronësinë e programeve sociale, të mbështesë tranzicionin në energji të qëndrueshme, të rrisë përfshirjen sociale në arsim dhe të krijojë shkolla miqësore me mjedisin.
Drejtori i shkollës “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi, ka falënderuar KFOS-in për investimin, komunën e Prishtinës për mundësinë që ky investim të ndodhë në shkollat në Prishtinë, e specifikisht në shkollën që drejton, si dhe Jaha Solar për implementimin e projektit, shkruan “Epoka e re”.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka theksuar se komuna e Prishtinës është shumë mirënjohëse për një investim të tillë, pasi që kjo i ndihmon jo vetëm komunës, por edhe tërë Kosovës dhe industrisë së energjisë në vend.
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Lura Limani, ka potencuar se ky pilot projekt është pjesë e projektit rajonal i cili është duke u zbatuar në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, ndërsa sivjet do të fillojë të implementohet edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Në përurim ishte prezentë edhe Zanfina Kabashi nga Jaha Solar, e cila e bëri një prezantim të shkurtër të anës teknike të implementimit të projektit.
Investimi është bërë tërësisht me mjete të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, mirëpo po të ishte bërë nga vetë komuna apo shkolla, kthimi në investim do të ishte gjashtë vite.
Pasi që në Kosovë shkollat fillore nuk menaxhojnë me buxhet dhe nuk kanë as llogari bankare, mjetet e kursyera, sipas zotimit të komunës së Prishtinës, do t’u kthehen shkollave për të kontribuar në mirëmbajtjen e tyre apo të shtohen investimet kapitale në këto dy shkolla.
Projekti është iniciativë e përbashkët e Fondacioneve për Shoqëri të Hapur në katër vende të Ballkanit – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Në vitin 2023, projekti do të zgjerohet për të përfshirë edhe Bosnjën e Hercegovinën.