KGjK-ja mbajti takimin e radhës, Departamenti Special do të funksionalizohet së shpejti
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur të premten takimin e radhës të kryesuar nga Skender Çoçaj, në të cilin takim u morën disa vendime të rëndësishme për sistemin gjyqësor.
Fillimisht kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, ka falënderuar ish-kryesuesin e KGjK-së, Nehat Idrizi, për kontributin dhe angazhimin e tij trevjeçar në krye të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kryesuesi i ri e filloi punën me prezantimin e raportit vjetor të KGjK-së, për vitin 2018 i cili raport u miratua njëzëri nga anëtarët e Këshillit.
Këshilli ka shqyrtuar dhe miratuar edhe draft rregulloren për rekrutimin, emërimin, trajnimin, shpërblimin, disiplinimin dhe lirimin nga detyra të gjyqtarëve porotë me disa plotësim ndryshime.
Lidhur me Departamentin Special, Këshilli mori vendim që këto lëndë të trajtohen deri në funksionalizimin e këtij departamenti.
Kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, ka njoftuar anëtarët e Këshillit që Komisioni për funksionalizimin e departamentit në fjalë është duke punuar me shumë intensitet dhe pritet që së shpejti të fillojë punën.
Pas diskutimeve, lidhur me ngarkimin me lëndë të gjyqtarëve me mandat fillestar që janë duke ndjekur trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë, Këshilli mori vendim që gjatë trajnimit fillestar, gjyqtarëve t’ju caktohen raste nën mbikëqyrjen e mentorit.
Bazuar në kompetencat e veta, Këshilli aprovoi edhe disa kërkesa të gjyqtarëve për transferim nëpër gjykatat themelore.
/Epoka e re/