KGjK-ja nuk e miraton kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë

16 shkurt 2018 | 15:44

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në takim e mbajtur sot, ka shqyrtuar kërkesën e pranimit të dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiqit, drejtuar kryesuesit dhe KGjK-së përmes postës elektronike më 14 shkurt.

“Kryesuesi dhe KGjK, që nga data 14 shkurt 2018 kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me kryetarin Kabashiq, gjyqtarët dhe stafin mbështetës të Gjykatës Themelore të Mitrovicës me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe që është në interes për funksionimin e Gjykatës në Mitrovicë”, është thënë në komunikatën e KGjK-së.

Më tej në këtë komunikatë thuhet se KGjK-ja ka pranuar me shkrim dhe në forma tjera kërkesa nga gjyqtarët, stafi mbështetës dhe partnerët e sistemit gjyqësor që theksojnë, se kërkesa për dorëheqje e kryetarit Kabashiq duhet të trajtohet me kujdes dhe e njëjta të mos pranohet si e tillë.

“Angazhimi dhe rezultatet e arritura në këtë Gjykatë, sidomos pas zgjedhjes se gjyqtarit Kabashiq në pozitën e kryetarit janë për t’u vlerësuar. Prandaj, bazuar në gjithë këtë dhe me qëllimin më të mirë që Gjykata Themelore e Mitrovicës të vazhdojë funksionimin, Këshilli nuk e aprovoi dorëheqjen e kryetarit Kabashiq, dhe kërkon nga ai që të njëjtën ta rishqyrtoj”, është thënë në këtë komunikatë.

KGjK-ja ka bërë me dije se mbetet e përkushtuar që bashkërisht me kryetarin, gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës të punojnë për përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionalizimin e plotë të gjyqësorit me qëllim që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, t’u mundësohet qasje në drejtësi dhe sundim të rendit dhe ligjit.

“Shpresojmë se kryetari Kabashiq do t’i merr në konsideratë kërkesat e kolegëve, të KGjK-së, të partnerëve të gjyqësorit dhe interesin e qytetarëve”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e KGjK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i lartë austriak, i kryesuar nga Erhard Busek,…