KH Rahoveci: Ejani na përkrahni që të shkruajmë historinë
KH Rahoveci pasi e shkroi historinë e sportit në Kosovë, tash po vazhdon ëndrrën përrallore në Evropë duke kaluar në raundin e tretë të EHF European Cup në hendboll me mposhtjen e kampionit belg, Bocholt, tashmë më 23 nëntor, nga ora 19:00 e ka rastin ta shkruajë historinë.
Në “Mizahir Isma”, në ndeshjen e parë presim ekipin rumun CS Minaur Baia Mare dhe një javë më vonë i shkon këtij klubi në Rumani për ndeshjen e kthimit. “Në historinë e sportit kosovar, Besa Famgas më së largu në këto nivele ka arritur aty ku jemi edhe ne tani për herë të parë, andaj me një fitore eventuale bëhemi ekipi i parë vendor që kualifikohet në 16 më të mirat e EHF European Cup”, thuhet në njoftimin e kësaj skuadre.
Klubi rahovecas ka një mision jashtëzakonisht të vështirë, pasi përballë e ka një ekip me përvojë të jashtëzakonshme në këto nivele. Ndërsa duhet cekur se klubi rumun është një nga favoritët e kësaj gare. CS Minaur Baia Mare është tri herë kampion rumun, gjashtë herë fitues i kupës, dy herë fitues i EHF Cup, gjysmëfinalist i edicionit të fundit të EHF European Cup dhe finalist në vitin 2022. Ka pjesëmarrje edhe në Ligën e Kampionëve. Përkundër disa vështirësive financiare me të cilat përballet, ka ekip kompakt me lojtarë shumë të fortë.
“E gjithë kjo paraqet veç një motiv shtesë për ne. Duam të dëshmojmë se jemi të gatshëm për ndeshje të këtyre niveleve dhe do të japim gjithçka nga vetja. Por, do të jetë definitivisht e pamundur pa përkrahjen tuaj masive në Rahovec. Andaj, orarin e dini, adresën po, veç na ka mbetur të luftojmë bashkë, për të hyrë në librat e historisë së hendbollit kosovar”, thuhet në njoftimin e Rahovecit.