KHAIA publikon raportin me rekomandime për rastin e Dushit ku humben jetën tre presona
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), Organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore ka përfunduar raportin e hetimit të aksidentit hekurudhor të trenit të udhëtarëve nr. 761 me automjetin rrugor në vendkalimin Dush të Komunës së Klinës, që ndodhi më 3 shtator të vitit të kaluar, dhe ku humbën jetën tre persona dhe tre të tjerë u lënduan.
“Më 03.09.2018, në orën 17:44 minuta në vendkalim të rregullt të linjës së hapur hekurudhore në drejtimin Prishtinë – Pejë (në km 47+938.8), në fshatin Dush të Komunës së Klinës, treni i udhëtarëve që qarkullonte në relacionin Prishtinë – Pejë ka goditur një automjet të udhëtarëve. Si pasojë e aksidentit ka ardhur deri te vdekja e tre udhëtarëve dhe lëndimit të tre udhëtarëve të tjerë të automjetit. Gjithashtu kishte dëme të mëdha materiale në automjetin e përfshirë në aksident”, është thënë në raportin e KHAIA-së, Organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore.
Në këtë raport thuhet se deri te aksidenti ka ardhur pasi vetura ka dalë në kryqëzimin e vijës hekurudhore me infrastrukturën rrugore në të njëjtin nivel, në të njëjtën kohë kur po kalonte edhe treni i udhëtarëve.
“Shkaku kryesor i aksidentit serioz është mosrespektimi i dispozitave të Ligjit Nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës / Nr. 32 / 5 shtator 2016, Prishtinë’) nga ana e shoferit të automjetit”, është theksuar në këtë raport.
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), Organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore, ka dalë me gjashtë rekomandime të sigurisë pas këtij rasti.
Një rekomandim është përcjell për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe një për Departamentin Koordinues të Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor.
“Organi për hetimin e aksidenteve hekurudhore, me qëllim të përmirësimit të sigurisë në sistemin hekurudhor, i ka lëshuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit rekomandimet e sigurisë që: Duke marrë parasysh sjelljen joadekuate të shoferëve të automjeteve gjatë kalimit në vendkalime hekurudhore është bërë shumë i shpeshtë mosrespektimi i Ligji Nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, prandaj Departamenti Koordinues i Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor të hetojë tërësisht format e ndryshme të sjelljes së shoferëve, shkaqet e një sjelljeje të tillë, si dhe të sugjerojë masa që do të kontribuonin në rritjen e nivelit të sigurisë në vendkalimet hekurudhore; dhe rekomandimi tjetër që Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të përgatit dhe nxjerr aktet nënligjore të domosdoshme për sektorin hekurudhor dhe të paraqes rregullat nacionale të obligueshme të sigurisë”, thuhet në raport.
Po ashtu edhe dy rekomandime janë përcjell edhe për menaxherin e Infrastrukturës “Infrakos Sh.a.”, me qëllim të përmirësimit të sigurisë së sistemit hekurudhor.
“Menaxheri i Infrastrukturës ‘Infrakos Sh.a.’ të zhvendosë në distancë të mjaftueshme, shtyllat elektrike dhe të gjitha objektet e tjera në afërsi të vendkalimeve hekurudhore, në mënyrë që të mos paraqesin rrezik për transportin hekurudhor; dhe menaxheri i Infrastrukturës ‘Infrakos Sh.a’ të përditësoj dhe kur është e nevojshme të nxjerr rregulloret e brendshme në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, theksohet në raport.
Gjithashtu edhe për ndërmarrjen hekurudhore “Trainkos Sh.a.” dhe për Komunën e Klinës është përcjell nga një rekomandim, me qëllim të përmirësimit të sigurisë së sistemit hekurudhor.
“Ndërmarrja hekurudhore ‘Trainkos Sh.a.’ të përditësoj dhe kur është e nevojshme të nxjerr rregulloret e brendshme në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Po ashtu edhe Komuna e Klinës rregullisht duhet të mirëmbajë brezin rrugor (bimët, shkurret) në afërsi të vendkalimit hekurudhor, me qëllim të përmirësimit të dukshmërisë”, është theksuar në këtë raport të KHAIA-së, Organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore.
Këto janë rekomandimet e para që lëshohen pas luftës për sigurinë në hekurudha.
Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave është përgjegjës për t’i përcjell këto rekomandime se deri ku janë zbatuar dhe pastaj raporton në KHAIA.
Këto janë rekomandimet e para që lëshohen pas luftës për sigurinë në hekurudha.
/Epoka e re/