KHF Istogu, kampion i Kosovës në hendboll
Istogu është kampion i Kosovës në hendboll për edicionin 2023/2024. Në finale të plejofit, Istogu e mposhti Ferizajn. Pas fitores së arritur të enjten në Ferizaj, Istogu fitoi edhe të dielën mbrëma në Banjë, me rezultat 31:30.
Kështu me rezultat 2:0 në serinë finale, Istogu e mbrojti titullin e kampionit të Kosovës. Për skuadrën istogase është titulli i katërt në histori dhe i treti rresht. Fillimisht Istogu kishte triumfuar në edicionin 2018/19 e më pas edhe në edicionet 2021/2022 dhe 2022/2023. Ndeshja e së dielës ishte shumë e fortë dhe shumë interesante.
Pas pjesës së parë Ferizaj ishte në epërsi prej një goli, 15:14. Por në pjesën e dytë skuadra vendase shfaqi më shumë dhe ishte gjithë kohën në epërsi. Por lufta sportive nuk është ndalur deri në fund. Istogu ia doli të mbajë epërsinë për festë të madhe në fund të takimit. Kupën e kampionit, kapitenes së Istogut, Albina Rugova, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini. Për Rugovën ishte ndeshja e fundit me Istogun. Ajo karrierën e vazhdon në Zvicër. Largohet si kampione dhe si ikonë e hendbollist istogas. Ana Carolina Gomes ishte më efikasja tek Istogu me dhjetë gola. Tetë i kishte Esma Muratoviq, katër Arlinda Dinarica e nga tri Albina Rugova e Tainara Luna Goncalves.
Shumë pritje kishte Aleksandra Bazoviq. Te Ferizaj, Salematou Camara i kishte shtatë gola. Pesë i shënoi Anja Bojaniq e nga katër Luljeta Sopjani, Amanda Stein e Simone Keita. Nuk ndihmuan as pritjet e Teninke Kabas. Istogu e Ferizaj kanë zhvilluar garë të fortë e interesante këtë edicion. Dhe gara u mbyll me një ndeshje shumë të fortë e shumë interesante.