Kiana Kryeziu përfundon stërvitjet e fundit para garave vendimtare në Kupën e Amerikës së Jugut
Kiana Kryeziu, një nga skitaret më të shquara të Përfaqësueses së Kosovës dhe pjesë e klubit skitar PRO1, ka përfunduar me sukses seancat e fundit stërvitore përpara garave të rëndësishme në disiplinat e shpejta, Super-G dhe lëshim (DOWNHILL). Këto gara, që zhvillohen në kuadër të South America Cup (SAC2024) në Argjentinë dhe Kili, janë mundësi kyçe për të siguruar normën Olimpike, një synim i jashtëzakonshëm për sportisten dhe për Kosovën.
Ky udhëtim në Amerikën e Jugut ka qenë një sukses i madh për Kianën, pasi ajo ka fituar tri medalje të argjendta në disiplina të ndryshme, përfshirë Sllallomin, Sllallomin e Madh dhe Super-G, duke treguar gjithanshmërinë dhe përgatitjen e saj në sportin e skijimit alpin. Performanca e saj e jashtëzakonshme është kurorëzuar me pikët më të mira FIS të karrierës, një hap i rëndësishëm për të në rrugën drejt ngjarjeve më të mëdha globale si Lojërat Olimpike Dimërore.
Garat e ardhshme në Kili dhe Argjentinë, veçanërisht ato në disiplinat e shpejta si Super-G dhe Downhill, janë thelbësore për kualifikimin e saj olimpik. Me suksesin e deritanishëm dhe përgatitjet e shkëlqyera, pritet që ajo të vazhdojë të impresionojë në skenën ndërkombëtare.
Federata Skitare e Kosovës është jashtëzakonisht krenare për përparimin e Kianës dhe e mbështet atë plotësisht në këtë rrugëtim të rëndësishëm. “Ne dhe të gjithë përkrahësit e saj jemi me padurim në pritje të rezultateve nga këto gara dhe besojmë se ajo do të arrijë të përmbushë synimet e saj historike për kualifikimin olimpik”, thuhet në reagimin e FSK-së.