Kica-Xhelili: Dikush duhet t’ia kujtojë Haxhiut se nuk është ministre e fushatave linçuese
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se dikush duhet të ia kujtojë Albulena Haxhiut se është ministre e Drejtësisë në një shtet demokratik e ku pushtetet janë të ndara dhe “nuk mund ta kontrolloj gjyqësorin, fatmirësisht për demokracinë”.
Ajo tregoi se Haxhiu është ministre e Drejtësisë e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linçuese.
Këtë duhet të ia kujtojë sërish dikush, u shpreh ligjvënësja opozitare.
Reagimi i Xhelilit vjen pasi ministrja Haxhiu ka pasur kritika dhe akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi iu rrëzua Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të premten e kaluar.
“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre e DREJTËSISË – e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linquese. Se sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion. Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq”, shkroi ajo në “Facebook”.
Sipas saj, Haxhiu ose duhet ta respektojë demokracinë ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj.
“Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj.
Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron”.
“Paragrafi 18 i Rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit [CM/Rec(2010)12]: “Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar”.
Kësisoj, Kica-Xhelili tregoi se ka bërë thirrje për këto rekomandime e standarde apo shtylla demokratike, por siç shprehet ajo, Haxhiu e ka kthyer në personale.
“Në fund, ua rikujtoj juve dhe ndoshta pak vetes, që i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë. Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata”, përfundoi Kica-Xhelili.