Kica-Xhelili edhe zyrtarisht në LDK, Abdixhiku: Mirë se vjen Doarsë!
Deputetja e Doarsa Kica – Xhelili, zyrtarisht u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është prej rasteve të rralla që deputeti i partive në pushtet, kalon në opozitë.
Deputeten, që deri tash ishte në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, e ka prezantuar sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë, ka shkruar Abdixhiki në profilin e vetë në “Facebook”.
Postimi i plotë i Lumir Abdixhiku:
Mirësevjen Doarsë!
Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë.
Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara.
Doarsa Kica Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë.
Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit. Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi.
Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze.