![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/Doarsa-Kica-Xhelili1.jpg)
Kica-Xhelili, Kurtit: E dorëzuat vetingun që ta kapnit KPK-në dhe kryeprokurorin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti rreth sistemit të drejtësisë dhe vetingut.
Ajo ka thënë se qeveria nuk e ka të qartë se si funksionon drejtësia. Sipas saj, “qeveria s’e ka as për qëllim reformimin demokratik të saj”.
“Këtë po e them veçanërisht për dy arsye: Arsyeja e parë: Procesi i vetingut ka qenë nismë e kamotshme politike që nuk u jetësua kurrë, e që thënë të vërtetën, as nuk u pat iniciuar nga LV-ja, por LDK-ja, e u kapitalizua më pas si nismë e LV-së. Sot ka pak rëndësi kush e inicioi. Rëndësi ka kush e dështoi si ide fillestare, dhe përgjegjësia këtu bie mbi qeverinë e sotme. Vetingu ka qenë (dhe vazhdon të jetë për aq sa ka kapacitet) një ndër prioritetet e mia profesionale politike. Përgjatë vitit të parë si deputete, kam insistuar me gjithë qenien (dhe për këtë kam dëshmi), që vetingu të iniciohej si reformë e parë, t’i jepej prioritet, e vetëm pas konfirmimit që i kemi forcuar themelet e fuqishme vetingut, të vazhdohej me nismat tjera. Shkurt e shqip, ta vendosnim gurin para rërës”, ka shkruar Kica-Xhelili në “Facebook”.
Në vend të kësaj, Kica-Xhelili ka thënë se qeveria Kurti ka nisur tri reforma “paralele”.
“Çka bënë në vend të kësaj? Vendosën që t’i nisin tre reforma paralele: Ristrukturimin e Këshillit Prokurorial – të parin; vetingun e Byronë më pas, gati në të njëjtën kohë. Që të tria, gati si kallëp ia dërguan Komisionit të Venecias për shqyrtim”, ka shkruar ajo.
Ndërsa arsyeja e dytë, sipas Kica-Xhelilit është se me “amputimin” që i është bërë vetingut, vështirë që ky proces të quhet i tillë.
“Arsyeja e dytë: Me ‘amputimin’ që iu bë vetingut, sot është vështirë që ky proces të quhet më i tillë, sepse mashtron qytetarët në idenë që kur flasim sot për veting, flasim për vetingun e fjalëve të fushatës 2021. E vërteta është dhimbshëm tjetër. Vetingu sot nuk është as 5 për qind i idesë fillestare. Vetingu për të cilin flasin sot nuk është gjithëpërfshirës, por do t’i përfshijë vetëm këshillat (rreth 30 veta), dhe nuk e analizon aspak performancën. Performanca ra!”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Më tutje, ajo e ka pyetur kryeministrin Kurti se si mund të kthehen lëndët në rigjykim, duke e përmendur vetingun si zgjidhje.
“Si, kryeministër? Si saktësisht, analizoma të lutem, votimi i limituar te anëtarët e këshillave, do të ndikoj që lëndët të mos kthehen më njësoj në rigjykim? Si? Si do të guxojnë sipas jush, më pas, anëtarët e këshillave të ndërhyjnë në kapacitetin diskrecional të gjyqtarëve të apelit në vendosjen rreth kthimit në rigjykim apo vendosjes vet për ato lëndë? Si, kur performancën tanimë e eliminuat, pikërisht të atyre gjyqtarëve e prokurorëve? Dhe më besoni, dhimbja më e madhe përtej qytetarëve vlen për ata gjyqtarë e prokurorë të denjë që ju i nëpërkëmbni e që janë paguesit kryesor të mosbesimit në drejtësi për faj të kolegëve të tyre”, ka pyetur Kica-Xhelili .
Ajo ka thënë se është në grupin punues për vettingun dhe se janë duke u marrë me “mbetje të procesit”, pasi sipas saj po tentojnë të nxjerrin diçka nga “asgjëja e mbetur”.
“A e ke idenë që e keni djegur këtë kartë aq keq sa nuk di nëse do të ishte e mundur ta digjnit aq keq edhe po ta planifikonit? Me çfarë të drejte sot përmend emra viktimash e emra kriminelësh kur personalisht dhe si grup, e dorëzuat vetingun për hir të prioriteteve tjera që ju kishit? Që të kapnit vet KPK-në, e vet kryeprokurorin”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Në fund, Kica-Xhelili ka thënë se vetingun ia kanë dorëzuar lakmisë për ta kapur drejtësinë dhe se nuk dallojnë nga individët e kaluar të pushtetit.