Kica-Xhelili: Mimoza është ndërmjetësuese, askush në LV s’guxon të flas me askënd pa ‘bekimin nga lart’
Kanë filluar reagime e politikanëve opozitarë pas publikimit të pjesë së dytë të përgjimeve të shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Igor Simiqin.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se LV-ja ka komunikuar me kriminelin Millan Radojiçiq “DISA herë”.
Ajo ka thënë se “Mimoza as nuk është protagoniste këtu – është ndërmjetësuese. Askush nuk guxon të flas në atë grup me askënd pa ‘bekimin nga lart’”.
“O jo, jo. E keni huqë! Nuk jeni taku “veç me Listën Serbe” por keni folë me Radojçiçin, që është futur në listën e zezë të SHBA-së, dhe atë PASI që e kanë futur. Jo një por DISA herë! Relativizojeni sa të doni. Asgjë nuk e zhbën demaskimin që po ju ndodh.”
“Nuk ju shpëton më asnjë referencë e të kaluarës sepse ju e keni sabotuar të tashmën e të ardhmen në të njëjtën kohë që keni dëmaskuar qenien tuaj të të gjitha kohërave. Besa s’e keni huqë hiç. Aspak! Shumë mirë po e dini çka ka ndodhur. Prandaj krejt ky panik! Mimoza as nuk është protagoniste këtu – është ndërmjetësuese. Askush nuk guxon të flas në atë grup me askënd pa ‘bekimin nga lart’”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ndërkohë, Në pjesën e dytë të përgjimit Sllavko Simiqi i thotë Kusarit se (sic) do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Millan Radojiçiqin. Mimoza Kusari mbeti në heshtje.
Ajo dje në një emision kishte thënë që kishte biseduar vetëm njëherë.