Kica-Xhelili për Thaçin e LV-së: Një njeri si ai nuk do të duhej të shkelte më kurrë në Kuvend
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar edhe në “Facebook” ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, i cili ka thënë se LDK-ja viktimizohet me aktivistët e vrarë.
Ajo ka thënë se një njeri si Thaçi nuk do të duhej të “të shkulte më kurrë në Kuvend të Republikës së Kosovës”.
“Deputeti i LV-së publikisht u tha qindra e mijëra mbështetësve e strukturave të LDK se ata viktimizohen me aktivistët e vrarë. Çfarë paturpësie është kjo?! Një njeri si ai nuk do të duhej të shkelte më kurrë në Kuvend të Republikës së Kosovës. Një njeri si ai që nuk voton as për hetimin parlamentar të rastit të Deharit, na moralizon drejtësi? Anëtarët e LV-së nuk duan ta kuptojmë hajninë në miell e vaj. Pikë. Prandaj merren me mua. Unë jam preteksti i tyre që ata të mos merren me temë. Ataku ndaj meje i duket këtyre i lehtë, sepse atakun qe ata ja bëjnë shtetit e drejtësisë nuk kapërdihet. Por, ataku elektoral ndaj tyre do të jetë akoma më i vështirë për t’u kapërdirë”, ka shkruar Kica-Xhelili në “Facebook”.