Kica-Xhelili: Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.
Kica-Xhelili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gazetarët e kanë të drejtën absolute që të shprehin lirshëm mendimin, dhe jo vetëm të shprehin, por edhe t’i garantohet mbrojtja shoqërore.
Ajo tutje ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve, janë sulme të drejtpërdrejta në sulm të lirisë së shprehjes.
Postimi i plotë:
Ka gazetarë me të cilët mund të mos pajtohem. Ka edhe të tillë që kam bindjen që janë subjektivisht të anshëm në qëndrimet e tyre.
Por, çka unë mendoj, ndjej, e me çka unë pajtohem ose jo nuk ka kurrfarë rëndësie në raport me të drejtën ABSOLUTE të gazetarëve që të shprehin lirshëm mendimin. Jo vetëm të shprehin, por t’i garantohet mbrojtja shoqërore e shtetërore/institucionale në atë liri të shprehjes.
Liria e shprehjes sikurse garantohet, mbrohet edhe me Kushtetutë e ligje. Kufizimet e lirisë së shprehjes në raport me cënimin e të drejtave të tjetrit, qoftë edhe nga gazetarët, njësoj rregullohen me ligje ekzistuese. Këto cënime nuk trajtohen në rrugë. As nuk gjykohen njëanshëm. Aq më pak – dhunshëm.
Vetëgjyqësia nuk ka vend në shtetet demokratike. Pikë.
Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në sulm të lirisë së shprehjes. Sulm të demokracisë. Sulm të asaj që është qenësore në mirëmbajtjen e një shteti të së drejtës që edhe ashtu është i cenueshëm. Nuk ka justifikim, nuk ka përjashtim e nuk ka amnistim.