Kiçmari: Imponimi i dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit nuk më duket zgjidhje e mençur
Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sabri Kiçmari, ka ftuar LV-në dhe LDK-në që ta bëjnë sa më parë koalicionin qeverisës.
Ai ka thënë se këto dy subjekte politike kanë shansin të krijojnë një realitet të ri demokratik dhe t’i vendosin bazat e një kulture të re demokratike.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kiçmari ka deklaruar se formimi i një koalicioni të tillë është interes kombëtar për Kosovën. “LV-ja dhe LDK-ja e kanë shansin të krijojnë një realitet të ri demokratik dhe t’i vendosin bazat e një kulture të re demokratike. I inkurajoj që ta bëjnë këtë gjë! Interesi partiak duhet t’i lëshoj vendin interesit kombëtar, shtetëror dhe shoqëror. Besoj ende, se në të dy subjektet ka mendje racionale që e kanë këtë gjë parasysh dhe në ditët e ardhshme do të dëgjohet zëri i tyre”, ka thënë Kiçmari.
Ai ka vlerësuar se ideja e LDK-së për ta larguar kryetarin e ri të Kuvendit nuk është e qëlluar. “Në rrafshin e stabilitetit institucional, funksionimit demokratik të institucionit më të lartë ligjvënës dhe imazhit të Republikës së Kosovës, imponimi i dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit nuk më duket zgjidhje e mençur. Kryetari i Kuvendit, sipas sistemit tonë kushtetues, është njeriu i dytë në hierarkinë shtetërore. Ai duhet të ketë imunitet të plotë institucional dhe funksional dhe nuk mund të bëhet, pas zgjedhjes së tij, objekt i lëvizjes për shkak të interesave partiake”, është shprehur ai.
Zyrtari i LV-së ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja. Sipas tij, të dy subjektet politike duhet të mendojnë për ndonjë zgjidhje të përkohshme para zgjedhjeve të reja. “Natyrisht që nuk bëhet hataja nëse shkohet në zgjedhje të reja. Ka shumë raste të vendeve me stabilitet të qëndrueshëm demokratik kur ndodhen para situatave të tilla. Por, është nevojë urgjente që, edhe në rast se shkohet në zgjedhje, paraprakisht të gjendet një zgjidhje legale, qoftë edhe e përkohshme, për të mos e sjellë në gjendje kolapsi funksionalitetin buxhetor”, është shprehur Kiçmari.
“Epoka e re”: Z. Kiçmari, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje edhe tre muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. Pse?
Kiçmari: Unë kam pritur më shumë probleme në akordimin e pikave programore për shkak se dy subjektet politike vijnë nga drejtime të ndryshme ideologjike dhe kanë plane diferente zhvillimore, por ja që ndodhi, që pengesë serioze e krijimit të koalicionit qeverisës të jetë ndarja e resorëve qeverisës dhe tejqeverisës. Pengesa e parë u shfaq me kërkesën e LDK-së, që pjesë e marrëveshjes së koalicionit të jetë edhe detyra e Presidentit të Republikës. Problem në vete ishte edhe insistimi i LDK-së për ta marrë resorin e Punëve të Brendshme, për të cilin resor LV-ja kishte proklamuar me të madhe angazhimet e saj në fushatë. LV-ja u thirr në principin e gjetjes së një kuadri neutral, jopartiak, për president, i cili do të pranohej nga të dy subjektet, në kohën e dhënë, kurse LDK-ja insistoi që mandati i Presidentit t’i takonte asaj, pa e bërë të njohur emrin e kandidatit, edhe pse publiku, në masë të madhe, e perceptonte ose e aludonte se për kënd është fjala. Në rrethana të tilla u shkua në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje. Vetëvendosje u soll e përgjegjshme në rrafshin shtetëror, duke mos e shtyrë, përmes makinacionesh të njohura nga viti 2014, seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, kurse LDK-ja u tregua e përgjegjshme, duke e votuar Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Epoka e re”: Në bazë të ofertave të fundit të dy partive, është parë që pengesa kryesore për këtë marrëveshje është posti i kryetarit të Kuvendit. Kush duhet të lëshojë pe këtu?
Kiçmari: Kultura e përgjegjësisë shtetërore, që u shfaq në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës nga LV-ja dhe LDK-ja, do të ishte me interes të pasohej edhe me hapa të tjerë. Të dy subjektet i lëvizën pozicionet fillestare përmes ofertave të reja. Por kjo lëvizje nuk krijoi masën e mjaftueshme të racionalitetit politik, për të vënë në zbatim, atë që në politikë është i domosdoshëm në raste të tilla: kompromisin. LV-ja propozoi shtimin e numrit të dy ministrive, gjë që rezultonte në një tejkalim me vetëdije të premtimit elektoral, për hir të drejtpeshimit përfaqësues, duke i njohur edhe mandatin LDK-së për ta propozuar emrin e presidentit. LDK-ja insiston në një situatë prapakthimi: dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, zgjedhjen e një kandidati të LDK-së për kryetar të Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës. Në rrafshin e stabilitetit institucional, funksionimit demokratik të institucionit më të lartë ligjvënës dhe imazhit të Republikës së Kosovës, imponimi i dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit nuk më duket zgjidhje e mençur. Kryetari i Kuvendit, sipas sistemit tonë kushtetues, është njeriu i dytë në hierarkinë shtetërore. Ai duhet të ketë imunitet të plotë institucional dhe funksional dhe nuk mund të bëhet, pas zgjedhjes së tij, objekt i lëvizjes për shkak të interesave partiake. LDK-ja e kishte këtë mundësi para seancës konstitutive, por nuk e shfrytëzoi. Madje Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia garanton qartë partisë fituese detyrën e kryetarit të Kuvendit. Është në akord me një praktikë të njohur në shumë sisteme të demokracisë parlamentare. Ja një shembull identik: Aktualisht kancelarja dhe kryetari i Bundestagut në Gjermani janë nga CDU, kurse presidenti Federal është nga SPD-ja.
“Epoka e re”: Nga ajo që keni parë deri më tani, cilat janë gjasat që të kemi një koalicion LV-LDK?
Kiçmari: Unë e quaj interes nacional krijimin e një koalicioni qeverisës. Sa më parë aq më mirë. Vendi është duke u karakterizuar nga një mosstabilitet institucional prej shumë vitesh, por sidomos nga vera e vitit 2019. Mënyra se si u arnua koalicioni qeverisës mandatin e kaluar, duke u dhënë shumë fuqi pushtetore partive mezi të përfaqësuara në parlament, flet për foshnjërinë politike të demokracisë sonë. LV-ja dhe LDK-ja e kanë shansin të krijojnë një realitet të ri demokratik dhe t’i vendosin bazat e një kulture të re demokratike. I inkurajoj që ta bëjnë këtë gjë! Interesi partiak duhet t’i lëshoj vendin interesit kombëtar, shtetëror dhe shoqëror. Besoj ende, se në të dy subjektet ka mendje racionale, që e kanë këtë gjë parasysh dhe në ditët e ardhshme do të dëgjohet zëri i tyre.
“Epoka e re”: Vizita e emisarit amerikan në bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, sa mund të ketë ndikim në formimin e këtij koalicioni?
Kiçmari: Emisari amerikan e tha publikisht se nuk është detyra e tij që të interferohet në bisedimet për krijimin e koalicionit. Në bazë të informatave që kam, ai i ka inkurajuar të dy subjektet për të hyrë në koalicion, por nuk ka bërë presion. Është një sjellje e kujdesshme e miqve tanë amerikanë. Mendoj se ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnett, është duke luajtur një rol shumë pozitiv në këtë proces. Ambasadori Grenell duket t’i ketë marrë parasysh udhëzimet e tij. Lënia e subjekteve politike të Kosovës për t’i zgjidhur vetë situatat, pa presionin e jashtëm, është me interes për demokracinë në vendin tonë.
“Epoka e re”: Cila duhet të jetë zgjidhja nëse këto dy parti nuk do të mund të bëjnë marrëveshje?
Kiçmari: Vendi duhet të ketë qeveri. Lënia e vendit pa qeveri edhe për muaj të tërë është gabim i madh. Interesi nacional, shtetëror dhe shoqëror determinon urgjentisht krijimin e qeverisë. Sidomos interesi shoqëror. Paramendojeni situatën, që vendi të mbetet pa qeveri efektive deri në prill. Buxheti nuk mund të miratohet. Qeveria aktuale nuk ka të drejtë legale për të dërguar draftligje në Kuvend. Vendi do të kalonte në gjendje insolvente. Pagat e shërbyesve civilë nuk mund të paguhen. Shteti kollapson në rrafshin financiar. Natyrisht që nuk bëhet hataja nëse shkohet në zgjedhje të reja. Ka shumë raste të vendeve me stabilitet të qëndrueshëm demokratik, kur ndodhen para situatave të tilla. Por, është nevojë urgjente, që edhe në rast se shkohet në zgjedhje, paraprakisht të gjendet një zgjidhje legale, qoftë edhe e përkohshme, për të mos e sjellë në gjendje kolapsi funksionalitetin buxhetor.
(Muhamet KOCI)